Bota “Amerikanët nuk janë në Mesdheun lindor”

“Amerikanët nuk janë në Mesdheun lindor”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i përgjigjen boshllëkut strategjik që kanë krijuar në Mesdhe duke krijuar kështu kushtet për zhvillimin e realiteteve dhe ekuilibrave të reja.

“Amerikanët nuk janë këtu”, është shprehur rreth kësaj situate, një ndër ekspertët më të mirë izraelitë, Efraim Inbar.

Sipas tij, SHBA nën drejtimin e Joe Biden nuk ka një politikë të përcaktuar për rajonin dhe se madje administrata e tanishme amerikane ka gjasa të mos ketë as kapacitetet për të menduar në mënyrë strategjike.

Efraim Inbar.

Në këto kushte, fuqitë lokale do të nxitojnë për të vendosur ekuilibra të reja e mes tyre spikasin Turqia, Rusia apo edhe Egjipti. Inbar vë në dukje sidomos Turqinë që sipas tij është fuqi revizioniste dhe po zhvillon kapacitete reale ushtarake përfshirë ambiciet bërthamore. Pozicionimi amerikan në fazën e tanishme po interpretohet si ideologjik, diçka e çuditshme nëse merr në konsideratë faktin se Biden premtoi diplomaci aktive, madje agresive përkundrejt ndërhyrjeve ushtarake si opsion i përdorur gjerësisht deri më tani.

Kështu është komentuar gjerësisht zhvlerësimi që SHBA i ka bërë projektit të gazsjellësit të EastMed, për të cilin edhe Inbar, por edhe presidenti qipriot, Anastasiades shprehen se nuk cenon bashkëpunimin strategjik, Qipro-Izrael-Greqi. Megjithatë është e qartë se heqja e mbështetjes amerikane për një projekt të tillë, ndërkohë që vlerësohet e Turqia synon të bëhet ndër të tjera “një urë energjetike”, e lë jetime një aleancë të tillë që në thelb nuk ka numrat përkundrejt fuqive si Egjipti apo Turqia, aktualisht në rivalitet, por që herët apo vonë do të ulen në tryezë për të ndarë pjesën e tortës.