Sport Analiza e “Marca”: Arsyet pse Solari nuk e aktivizon Isco-n

Analiza e “Marca”: Arsyet pse Solari nuk e aktivizon Isco-n

Prestigjiozja spanjolle “Marca”, e njohur si media pranë klubit mbretëror madrilen, ka bërë sot një analizë, përmes së cilës mundohet të hedhë dritë mbi shkaqet pse trajneri Solari nuk e aktivizon titullar mesfushorin Isco.

Ajo shkruan si më poshtë:

Kur analizon rastin “Isco”, është e nevojshme të përdoren disa qasje, që shpjegojnë gjendjen aktuale të ish-mesfushorit të Malaga te Real Madridi. E para ka të bëjë me sistemin e lojës, të përdorur nga trajneri i të bardhëve, Santiago Solari.

Megjithëse në javët e fundit kemi parë vendosje taktike të detyruara, një mbrojtje me 3, ku Marcelo luan nga jashtë etj., sistemi bazë i Solarit te Real Madridi është ende 4-3-3. Mesfushorët e fiksuar janë Casemiro, Kroos dhe Modriç, në pritje të rimëkëmbjes së Marcos Llorente, i cili e kishte përmbushur besimin e Solarit deri në dëmtimin e “adductor”.

Në këtë bazë, besohet se nuk ka vend për Isco, teksa konkurrenca e tij tani është Modric, për të luajtur në pozicionin “8”. Madje, edhe i riu Fede Valverde shfaqet në atë zonë, gjithnjë e më shumë guximtar në sulm dhe me të dhëna mjaft të mira për të ardhmen.

Aktivizimi i Isco mund të shkaktojë mospërputhje në aspektin mbrojtës, gjë me të cilën “Los Blancos” po përpiqen të gjejnë edhe kështu ekuilibrin e duhur. Si një “playmaker”, Isco nuk konsiderohet të jetë në formën e tij më të mirë fizike për shpejtësinë dhe thellësinë e kërkuar nga ai rol në formacionin e Real Madridt.

Në të majtë luan Vinicius, edhe pse nuk është roli i tij natyror. E njëjta gjë ndodh me Cristo, të cilin Solari e shndërroi në “9” te Castilla. Më përpara, te Tenerife, lojtari në fjalë ka luajtur në rolin e “playmaker”-it. Dëmtimet në mbrojtje dhe në sulm janë ato, që e shqetësojnë jo pak Solarin.

Tani për tani, këto dy reparte nuk janë të duhurat, ku Isco mund të angazhohet. Për ta bërë këtë, trajneri duhet të bëjë ndryshim të një sistemi, që i ka dhënë fitoret, për të cilat kishin nevojë deri në agoni, derisa mbërriti argjentinasi.

Përveç kësaj, ky ndryshim taktik nuk ka për qëllim as sakrifikimin e Modricit. Kroati, megjithëse konsiderohet si një nga lojtarët me cilësi më të larta, nuk ka treguar shumë në ndeshjet e drejtuara nga Solari. Megjithatë, edhe Isco nuk ka qenë në atë formë sportive, sa për ta rrëmbyer “stafetën” nga nënkampioni i botës. Në shumicën e ndeshjeve, në të cilat Isco ka marrë pjesë si startues, Real Madridi ka humbur (dy humbje dhe vetëm një fitore).

Dhe kur Isco ka hyrë në lojë si zëvendësues, skuadra madrilene ka pësuar një gol. Kjo ka ndodhur në tri nga katër ndeshjet e fundit, në të cilat futbollisti andaluzian ka ardhur nga stoli. Natyrisht, ndërkombëtari spanjoll nuk mund të fajësohet për humbjet, por këto janë koincidenca statistikore, që përforcojnë vendimet e Solarit.