Bota Analiza e takimit Biden-Putin: Skepticizëm, respekt dhe arti i imazhit

Analiza e takimit Biden-Putin: Skepticizëm, respekt dhe arti i imazhit

Udhëtimi i parë jashtë vendit i Presidentit Joe Biden shpalosi filozofinë e tij diplomatike dhe negociuese, ndërsa ai bashkonte aleatët tradicionalë demokratikë të Amerikës, për t’u përballur me sfida të reja dhe të vjetra, si dhe ofroi një pamje shpesh rozë të mundësive të bashkëpunimit me Presidentin rus Vladimir Putin pas një takimi kokë më kokë.

Në vazhdim disa nga përshtypjet kryesore:

NJË RIFILLIM QË NUK U QUAJT KËSHTU

Presidentët Biden dhe Putin nuk e përdorën fjalën “rifillim” për të përshkruar gjendjen e marrëdhënieve midis dy vendeve pas samitit të tyre në Zvicër. Por kjo ishte ajo çfarë takimi arriti, me të dy udhëheqësit që theksuan fusha të qarta mosmarrëveshjesh, edhe pse vunë në dukje fusha në shkallë më të vogël ku mund të bashkëpunonin.

Ata përcollën një respekt të ndërsjellë dhe një skepticizëm të ndërsjellë. Ishte një kthim i papritur në kuadrin më konvencional SHBA-Rusi pas presidencës së Donald Trump-it, i cili shpesh dukej se lartësonte Putinin dhe krijonte të paktën aspiratën që vendet të mund të bënin më shumë si partnerë.

Këtë herë, secili udhëheqës u largua me mirëkuptimin se disa nga rregullat e vjetra ende zbatohen. Rusia rikthehet në vendin e saj si një “kundërshtare e denjë”, siç tha Presidenti Biden, në vend të një lloj vendi koleg. Dhe tensionet më të hershme, mbi luftën kibernetike dhe të drejtat e njeriut, vazhdojnë.

ARTI I IMAZHIT

Pas takimit të tyre tre orësh, prirja rrezatuese e Presidentit Biden qëndronte në kontrast të fortë me tonin më të matur dhe të heshtur të Putinit, i cili ndonjëherë kalonte në mbrojtje kur bëheshin pyetje nga gazetarët në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi dhe pushtimin e Ukrainës.

Edhe kështu, Presidenti Biden pranoi se optimizmi i tij ishte më shumë një dëshirë se sa një realitet.

“Unë do t’ju çmend të gjithë sepse e di që dëshironi që gjithmonë t’iu vë një theks negativ gjërave, veçanërisht në publik”, tha ai pak para se të hipte në Air Force One, duke shtuar, se në këtë mënyrë, “garantoni se asgjë nuk do të ndodhë”.

Kjo nxori në pah stilin e negocimit të presidentit, qoftë me Putinin apo me republikanët në Senatin amerikan për infrastrukturën – për të cilën ai shpreh publikisht bindjen e tij se një marrëveshje mund të arrihet pavarësisht nga mosmarrëveshjet shpesh të mëdha.

“Unë e di që ne e mendojmë politikën e jashtme të jetë një aftësi shumë e madhe që është disi si një kod sekret”, tha Presidenti Biden. “E gjithë politika e jashtme është një zgjatim logjik i marrëdhënieve personale. Është mënyra se si funksionon natyra njerëzore”.

Ai më vonë shtoi se, “ka një vlerë të jesh realist dhe të ngresh një front optimist, një fytyrë optimiste“.

…DHE TAKIMI BALLË PËR BALLË

Udhëtimi tetë ditor në tre vende i Presidentit Biden demonstroi theksin e tij mbi të gjitha tek marrëdhëniet personale.

“Nuk ka asnjë zëvendësim, siç e dini ju që më keni mbuluar për një kohë, për dialogun ballë për ballë midis udhëheqësve. Asnjë”, tha Presidenti Biden, duke deklaruar samitin e tij me Putinin një sukses, thjesht për faktin se ata folën personalisht.

Gjatë gjithë udhëtimit të tij, shumica e takimeve të Presidentit Biden u zhvilluan privatisht, pa kamera, ose me vetëm disa momente të hapura për mediat.

Presidenti Biden vendos syzet e diellit në përfundim të konferencës për shtyp pas samitit

Kjo nxori në pah besimin e Presidentit Biden tek lidhjet personale të padukshme që mund të nxisin rezultate në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Dhe shënoi një largim të qartë nga stili i ish-Presidentit Trump, takimet publike të të cilit me udhëheqësit globalë u bënë një lloj legjende në skenën ndërkombëtare. Marrëdhëniet patën tendencën të rrjedhin në një drejtim – me shfaqje të pasigurta publike nga krerët e shteteve dhe qeverive që përpiqeshin të pozicionoheshin në anën e mirë të ish-Presidentit Trump.

Presidenti Biden mendon se këta udhëheqës do ta mirëpresin kthimin në përqasjen e “shkollës së vjetër“.