Sport Analiza: Ja tre problemet që po minojnë Interin e Contes

Analiza: Ja tre problemet që po minojnë Interin e Contes

Humbja e pësuar kundër Lazio, e dyta e tërë kampionatit, vërteton ngadalësimin e ritmit zikaltër. Shifrat flasin më mirë: në gjashtë ndeshjet e fundit, Interi ka mbledhur vetëm 9 pikë nga 18 të tilla në dispozicion. Skuadra e Antonio Contes u ndal nga Atalanta, Lecce dhe Cagliari në barazim, ndërsa fitoi derbin e Madoninës, por pas një pjese të parë, në të cilën Milani mbizotëroi tërësisht. Këtu, papritmas, shfaqen të metat e një sezoni, që tashmë e ka parë Interin të eliminuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe me rrezik të lartë në Kupën e Italisë, pas fitores së Napolit në gjysmëfinalen e parë.

Dëmtimet; mungesa me peshë ato të Handanovic dhe Sensi

Shumë komentues, duke fokusuar humbjen e “Olimpico”, e drejtuan gishtin e fajit nga Padelli, i thirrur për të zëvendësuar Handanovic. Në të vërtetë, sigurisht, nuk ishte i patëmetë në dy golat e Lazio, siç kishte ndodhur tashmë në derbi. Nuk ka dyshim se dëmtimi i gishtit të dorës së sllovenit është duke peshuar mbi të gjitha përsa i përket sigurisë mbrojtëse. Në këtë rast, megjithatë, problemi duhet të zgjidhet brenda disa javësh, pasi Handanovic do të kthehet në postin e tij më vonë, këtë muaj. Ai që do të qëndrojë pak më gjatë është Stefano Sensi. Ajo e ish-mesfushorit të Sassuolo është një mungesë shumë e rëndë për Conte. Në fakt, Interi më i bukur u pa pikërisht në fillim të sezonit, me Sensi të rreshtuar bashkë me Brozovic dhe Barella.

Moskuptimi i Eriksen, çfarë roli te ky Inter?

Vetëm problemet fizike të vazhdueshme të Sensi bënë që trajneri Conte të përshpejtonte përfshirjen e Christian Eriksen në ekip. “Hiti” i merkatos së janarit deri më tani është përdorur vetëm një herë si startues, kundër Udinese, dhe për të qenë të sinqertë, pa bindur shumë. Nga ana tjetër, në intervistat pas humbjes me Lazio, trajneri zikaltër ishte i qartë me përgjigjen specifike mbi (mos)përdorimin e danezit: “Jemi duke e ingranuar atë. Nuk mund të mendojmë se një lojtar e ndryshon ekipin tonë, ne arritëm deri këtu pa të…” Ndjenja, me pak fjalë, është se Conte nuk e sheh shumë Eriksen si një mesfushor të 3-5-2 të tij. Në të njëjtën kohë, ai dyshon për ta ndryshuar vendosjen taktike nga frika e heqjes së sigurive të një ekipi, që po luan për titull.

Godin, si “peshku pa ujë” në mbrojtjen me tre

Problemi i fundit, por jo më pak i theksuar nga humbja ndaj Lazio, quhet Diego Godin. Mbrojtësi ekspert, që mbërriti verën e kaluar si transferim i lirë nga Atletico Madrid, vazhdon të jetë jobindës në prapavijën me tre të Conte. Aq shumë, sa edhe në “Olimpico”, ku e nisi titullar për shkak se Bastoni nuk ishte në më të mirën e tij, Godin u ul përsëri në stol në fund të lojës. Zgjedhje që ngjalli reagimin e irrituar të futbollistit në fjalë. Conte, megjithatë, kur bëhet fjalë për fitoren, sigurisht që nuk shikon CV e askujt. Godin është mësuar, si në Madrid, ashtu edhe në kombëtaren e tij, që të luajë në mbrojtje me katër. Për pasojë, tani është tejkaluar nga i riu Bastoni në planet zikaltër.