Kryesore ANALIZA/ Java e parë e liderit Basha: Pse u radikalizua opozita?

ANALIZA/ Java e parë e liderit Basha: Pse u radikalizua opozita?

Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi dhe Mustafa Nano, flasin për radikalizimin e gjuhës së opozitës dhe drejtimin që mund të marrë protesta

Nga Vladimir Karaj – Mapo

Shpërthimi i Lulzim Bashës në atë që opozita e ka pagëzuar si sheshi i lirisë dhe thirrja e tij për të linçuar deri me tërheqje zvarrë drejtorin e RTSH-së, të cilin e akuzoi se kishte shkarkuar nënën e një protestueseje apo thirrja për luftë dhe thyerje xhamash, është parë si një hap i përshkallëzimit të protestës. Tonet në mbrëmje ishin më të buta sidoqoftë, ndërkohë edhe pse RTSH përgënjeshtroi shkarkimin në fjalë, duke e quajtur lëvizje paralele, Rajna Kovaçi që ndodhej në çadër tha se kishte marrë një shkresë për një kontratë vetëm për tre muaj. Qasja e Bashës sidoqoftë u pasua me reagime të menjëhershme, fillimisht po aq emocionale, ndërsa u akuzua nga kundërshtarët se po thërriste për të destabilizuar vendin. Analistët që MAPO intervistoi e shohin këtë qoftë si një përpjekje e Bashës për t’u veçuar dhe dalluar si lider i një historie të re, duke nisur sipas Armand Shkullakut, që e ka mbështetur protestën një ndarje me të shkuarën, e cila nëse i shkohet deri në fund mund të “sakrifikojë edhe Bashën”, por të cilës ai duhet t’i shkojë deri në fund. Një lloj përpjekjeje për të bërë veçim e sheh edhe Skënder Minxhozi, që thotë se edhe gjuha e ashpër është për shkak të këtij presioni që bie kryesisht mbi të.

Përshkallëzimi i gjuhës erdhi paraditen e djeshme. “Ne me këngë, ata me gurë! Ne me këngë dhe akte paqësore, ata me pushime nga puna dhe me kërcënime! Thoma Gëllçi, o pleh! Do të tërheqim zvarrë nga Televizioni Publik Shqiptar! Ora jote po vjen! Ora e çdo kujt që abuzon me shqiptarët po vjen!”, -tha Basha dje paradite pasi u paraqiti protestuesve situatën. Ai e vijoi më tej deklarimin duke thënë: “Luftë doni, luftë do bëjmë” madje duke kërkuar aksione konkrete me shpime gomash makinash apo me thyerje xhamash. Opozita edhe më herët pati deklaruar se do të përdorte forma të ndryshme të qëndresës civile, por kjo që fillimisht u lexua si përshkallëzim, sipas Armand Shkullakut mund edhe të lexohet si një reagim ndaj asaj që kishte ndodhur në RTSH, ndërsa tha se gjuha e Bashës ishte vijim i sulmit që ai po i bën medias tradicionale dhe po ashtu një formë e ndarjes nga e kaluara. Ndërsa duket se hedh një paralele të largët me fushatën e ngjashme që u bë në SHBA prej Donald Trump, i cili iu shpalli betejë mediave. “Po unë e kisha në prizmin që Basha, atë që nuk e bëri dot në katër vjet, shkëputjen ose distancimin nga e kaluara, qoftë edhe nga ish-ministrat që thatë ju, apo korrupsioni i viteve të qeverisjes, qoftë edhe nga mëkate të tjera të mëdha, dua ta shikoj këtë protestë si një akt final, atë që nuk e bëri dot me gjuhë deri tani e me veprime më parë, po arrin ta bëjë nëpërmjet këtij akti, për t’u shkëputur nga e kaluara dhe kërkuar ndjesë”, -tha më tej Shkullaku për MAPO.

Nga ana e tij Mustafa Nano i shkroi shkurt gazetës se nuk e kuptonte reagimin e Bashës. “Nuk di ç’të them. Nuk e kam një shpjegim. Thjesht jam i kapur në befasi. Jam pa fjalë”, -tha Nano. Ai ka një prognozë më të zezë për opozitën sidoqoftë dhe beson se ky radikalizim “do ta izolojë edhe më shumë nga ndërkombëtarët, por edhe nga ajo masë shqiptarësh që duan paqe e qetësi në këtë vend”. Megjithatë ashtu si edhe Shkullaku as ai, as Minxhozi i intervistuar për këtë nuk mendojnë se ka ndonjë rrezik për përshkallëzim të dhunshëm të protestës. “Nuk ka asnjë rrezik”, tha Nano, ndërsa ironizoi liderin e opozitës që nuk i dukej “komandant lufte”.

Nga ana e tij Minxhozi tha se gjuha e përdorur i dukej më shumë si emocionale për shkak se siç tha ai, protesta nuk po jepte rezultate. “Unë mendoj që ky pozicion delikat i Lulzim Bashës prodhon këtë gjendje emocionale të tijën, e cila siç pamë sot ishte jashtë asaj çka ai ka premtuar në krye të herës”, -tha Minxhozi.

Por të tre të intervistuarit ndahen sa u përket zgjidhjeve që i japin PD-së. Nëse Shkullaku beson që ajo duhet t’i shkojë deri në fund bojkotit edhe me kosto të vetësakrifikimit, Minxhozi beson se zgjidhja do vijë nga negociatat, ndërsa Nano sheh si zgjedhje vetëm kthimin e opozitës në kuvend. “Nuk mendoj se ka shumë zgjidhje. Ka vetëm një zgjidhje. Çadra në bulevard të shkrehet, dhe deputetët e PD-së të shkojnë në Kuvend për të ristartuar me Reformën në Drejtësi, e për të kërkuar hartimin e ligjeve që mund të bëjnë mbrojtjen prej blerjes së votës”, -tha Nano për MAPO.

Po ashtu Minxhozi dhe Shkullaku ndahen sa i përket rolit që LSI mund të ketë në këtë protestë. Vetë kreu i LSI tha se i mbështeste kërkesat e PD-së për zgjedhje të lira, por kërkoi që ajo të kthehej në kuvend për Reformën në Drejtësi, ndërsa tha se nuk ishte dakord me ultimatumin që ajo i kishte vënë shumicës. “Kjo nuk do të thotë që opozita të kërkojë gjëra të paarsyeshme”, -tha Meta, i cili po ashtu mbajti qëndrim neutral për koalicionin dhe zgjedhjen e presidentit. Për Armand Shkullakun opozita nuk duhet të futet në një negociatë të tillë, pasi kjo do e dëmtonte kauzën që ka marrë përsipër. “Nëse opozita shkon te qytetarët në një mënyrë e ka shlyer deri diku edhe fajin e saj të së shkuarës, por nëse opozita e përdor protestën e qytetarëve si një mjet për të arritur pushtetin e saj nuk kemi arritur gjë, jemi rikthyer në të kaluarën”, -tha Shkullaku. Minxhozi sidoqoftë nuk e sheh kaq dramatike situatën. Edhe pse nuk përjashton përshkallëzim, ai i tha MAPO-s se situata ishte “më shumë një lojë pallati”, ndërsa tha se besonte që do zgjidhej me negociata. Nga shumica reagimi i vetëm erdhi nga ministri i Jashtëm që i kërkoi PD të mos bënte thirrje për kaos. “Jemi vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE dhe qytetarët tanë duan të dëgjojnë alternativa dhe projekte në funksion të zhvillimit të vendit. Thirrjet për kaos nuk nderojnë askënd, për më tepër kryetarin e opozitës, të cilit nuk i shkojnë fare këto thirrje. Thirrjet për destabilitet janë në fakt thirrje për të bllokuar Reformën në Drejtësi”, ka deklaruar Ditmir Bushati.

Shkullaku: Është akt final i opozitës, për t’u ndarë nga e shkuara

Çfarë mendoni për ashpërsimin e gjuhës së kreut të PD-së gjatë protestës, përmendja e luftës e të ngjashme?!

Unë mendoj që nuk duhet parë ky radikalizim i gjuhës së Bashës vetëm në atë që pamë sot paradite. Ai është provokuar nga një vendim i drejtorit të TVSH-së, i cili ka shkarkuar dikë nga puna, sepse ka marrë pjesë në protestën e PD-së. Dua të shkëpusja këtë dhe ta zhvendosja, pasi vëmendja e mediave përqendrohet në këto fjali radikale që bëjnë më shumë lajm, por dua ta shikoj në një hapësirë më të madhe. Ka disa kohë edhe para protestës dhe veçanërisht gjatë protestës, pasi vendimi për të qëndruar aty është radikal, që Basha ka ashpërsuar qëndrimin ndaj mediave tradicionale. Madje në intervistën në “Opinion”, ku ai jo vetëm kërkoi ndjesë për marrëdhëniet klienteliste që qeveria e PD-së ka pasur dikur me disa media në një moment të caktuar, por ai tha dhe ishte i ashpër që ne do t’i përmbysim mediet që i shërbejnë pushtetit. Po vëmë re se Basha ka një pozicion të qartë politik të një opozite, për të krijuar bindjet te shqiptarët që opozita nuk është më peng i askujt, as i oligarkëve, as i mediave të caktuara, madje as peng i së shkuarës së saj. Ai po mundohet të arrijë një gjë të tillë. Sa do ia arrijë kjo mbetet në vullnetin e tij e për t’u shikuar në të ardhmen, por vë re që është në një lloj përpjekjeje për t’u çliruar nga barra e mëkateve të kaluara, qoftë edhe nga lidhjet që duket sikur i japin oksigjen, por që në afat të gjatë e dëmtojnë më shumë.

Është media fajtore para ish-ministrave, para njerëzve të tjerë në PD, që kanë ndarë pushtet aty?

Pa diskutim nëse e shtrojmë këtë çështje në këtë mënyrë as që nuk ka fare diskutim. Në të gjitha rastet mendoj se media nuk ka faj se nuk është ajo përgjegjëse për politika të caktuara apo problemet e politikanëve. Mendoj se janë qeveritë që në mënyrë të pandershme dhe madje antiligjore joshin ose përdorin mediat për qëllimet e tyre. Por mendoj që kjo protestë po përpiqet ta arrijë në një akt final të opozitës për t’u shkëputur nga e kaluara dhe kërkuar ndjesë. Nëse opozita e përdor protestën e qytetarëve si mjet për t’u kthyer aty ku ishte atëherë në kemi mbetur në vend. Nga ana e saj media e ka më shumë me publikun llogarinë. Një media që i shërben interesave të ngushtë politikë apo financiarë, humbet besueshmërinë dhe ndikimin që ka. Por nëse vendos të rezistojë është vendim i vetë medias. Po unë e kisha në prizmin që Basha, atë që nuk e bëri dot në katër vjet, shkëputjen ose distancimin nga e kaluara, qoftë edhe nga ish-ministrat që thatë ju, apo korrupsioni i viteve të qeverisjes, qoftë edhe nga mëkate të tjera të mëdha, dua ta shikoj këtë protestë si një akt final, atë që nuk e bëri dot me gjuhë deri tani e me veprime më parë, po arrin ta bëjë nëpërmjet këtij akti, për t’u shkëputur nga e kaluara dhe kërkuar ndjesë. Nëse opozita shkon te qytetarët në një mënyrë e ka shlyer deri diku edhe fajin e saj të së shkuarës, por nëse opozita e përdor protestën e qytetarëve si një mjet për të arritur pushtetin e saj nuk kemi arritur gjë, jemi rikthyer në të kaluarën.

Çfarë mund të sjellë një përshkallëzim i situatës?

Nëse ne shikojmë përshkallëzimin ose tensionimin të provokuar dhe jo si reagim të natyrshëm qytetar, atëherë ka një problem të madh. Është e vërtetë që mëkatet e së shkuarës janë aq të mëdha sa kushtëzojnë ose krijojnë ngërç në çdo hap që hedh opozita për të qenë e besueshme, por Basha ka vetëm një rrugë, t’i shkojë protestës deri në fund, përfshi edhe përshkallëzimin dhe tensionimin nëse qytetarët e mbështesin edhe në radikalizëm.

Unë mendoj që kjo është një rrugë që ka kosto shumë të lartë, ndoshta mospjesëmarrje në zgjedhje dhe nuk besoj se mund të tërhiqet, kjo mund ta dëmtojë rëndë PD-në, por do shembë një sistem 25-vjeçar. Kjo mund të thotë që Lulzim Basha mund të sakrifikohet edhe vetë, por ama i jep një goditje të madhe sistemit dhe ky çmim ia vlen, kjo mund t’i krijojë atij hapësirë që në të ardhmen të rikthehet.

Çfarë do i jepte më shumë besim protestës së PD?

Për t’i bindur plotësisht shqiptarët që kjo protestë është e sinqertë, PD të dërgojë deputetet e saj të votojnë vettingun. Sigurisht duke riparë mundësinë për të shikuar edhe ato 7 ligjet. Të votojë vettingun, të fitojë kartën morale, që qeveria me malinjitet po e përdor këtë si gjoja pengesë e peng të vettingut, pastaj do të jetë akoma më legjitime ta radikalizojë dhe çojë deri në fund protestën e saj. Dhe në këtë rast do kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Pasi ndërkombëtarët po e shohin ku ka arritur kriminalizimi i Ramës dhe ky veprim i opozitës mund t’iu jepte një shtysë ose do ishte një katalizator.

A mendoni se tensionimi mund të shërbejë si një formë që do i mundësonte Metës të bashkohej me opozitën në emër të “stabilitetit”?

Çdo tensionim i situatës, mund ta favorizonte Metën dhe LSI. E madje mund të shfaqej si “ndërmjetësues” i ndonjë krize politike. Po mendoj se opozita nuk duhet të bëjë më këto llogari që të presë në lëviz apo jo Meta. Këto janë llogari të vogla, nuk vlejnë më. Mendoj që opozita duhet të ndjekë rrugën e vet, ka ikur koha që këto llogaritje i shikoj si barrë e së shkuarës.

Zonja Topalli duket se është kundër bojkotit të zgjedhjeve?

Unë respektoj edhe qëndrimin e zonjës Topalli, një qëndrim i saj konsekuent në këtë drejtim. Por mendimi është PD nuk ka rrugë tjetër. Nëse kjo protestë mbyllet këtu, nuk e kuptoj se ku ishte efekti i këtij radikalizimi.

Minxhozi: Sforcim i panatyrshëm i gjuhës, Basha dha garanci për protestë të qetë

Si e shihni radikalizimin e fundit të opozitës dhe gjuhës së Bashës, a mendoni se i shërben ky kauzës së saj?

Unë mendoj që së pari, radikalizimi nuk është e sigurt që i shërben opozitës, të paktën jo në këto kushte, sepse mendoj që ka një distancë shumë të madhe mes toneve ekstreme dhe natyrës së qetë të protestës. Kam frikë se kemi të bëjmë me një sforcim të panatyrshëm të gjuhës, i cili nuk gjen ndonjë pasqyrim, të paktën jo deri tani, as në bazën e PD-së, as në përkrahësit e saj, aq më pak në opinionin publik. Kam idenë që është një ashpërsim gjuhe, i cili vjen kryesisht nga dy faktorë; prej kohëzgjatjes së protestës pa dhënë një produkt, pa prodhuar pra as qeveri teknike as çarje të koalicionit dhe së dyti, një qëndrim skeptik dhe do të thoja i panegociueshëm i faktorit ndërkombëtar, i cili nuk e sheh me sy të mirë as prishjen e kuadrit politik kaq pranë zgjedhjeve dhe aq më pak edhe bojkotin e parlamentit, që sjell edhe bllokimin e Reformës në Drejtësi. Unë mendoj që ky pozicion delikat i Lulzim Bashës prodhon këtë gjendje emocionale të tijën, e cila siç pamë sot ishte jashtë asaj çka ai ka premtuar në krye të herës, kur filloi protestën kur dha garanci se do të ishte gjithçka e qetë e të tjera e të tjera.

Çfarë skenarësh mund të shihni prej këtu? A mendoni se mund të kemi një radikalizim të mëtejshëm të protestës?!

Skenarët janë dy, ose do të kemi tension politik ose nuk do të kemi, por produkti i këtyre skenarëve do të diskutohet gjatë. Por deri tani unë mendoj që as Ilir Meta nuk është i bindur se duhet të investohet me rrëzimin e kësaj qeverie dhe as ndërkombëtarët nuk duken të bindur se do ta pranojnë largimin nga parlamenti të opozitës në kërkim të kësaj qeverie teknike.

Pra, ndodhemi brenda një rrethi vicioz, i cili kryesisht vendos presion mbi opozitën, si nismëtare e kësaj situate dhe versioni për të cilin folëm në fillim, pra versioni i dhunës, do duhej të prodhohej kur realisht kishte një sensibilitet në radhët e opinionit publik, përkrahësit e opozitës dhe Partisë Demokratike, me një masë njerëzish shumë më të konsiderueshme që të rrethonte godinën e qeverisë etj. etj., pra është një skenar që nuk u prodhua në shtatë ditë, për fat të mirë, them për fat të mirë për shumë arsye të kuptueshme dhe për fat të mirë protesta mbetet paqësore, sepse skenarin e dhunës unë besoj që edhe vetë Basha që foli ashtu siç foli nuk besoj se do e kërkonte. Kështu që them që ndodhemi larg degjenerimit të protestës në diçka të dhunshme, ende larg të paktën, gjithçka mund të ndodhë por nuk shoh elemente që kemi moment për shkallëzim dhune dhe trazira sociale e politike në Shqipëri.

Çfarë mendoni se do i jepte zgjidhje situatës?

Se si do të zgjidhet pastaj situata unë mendoj që do të jetë më shumë një lojë pallati dhe jo një revolucion rruge. Në fund fare do të ketë një kooperim politik besoj, në fund fare do të pritet vizita e Frederica Mogherinit, që siç e dini do të jetë në fillim të marsit.