Bota Analiza/ Kishte kohë që ziente, krisja BE-SHBA del në pah më shumë...

Analiza/ Kishte kohë që ziente, krisja BE-SHBA del në pah më shumë se kurrë

Epoka e lumtur në marrëdhëniet BE-SHBA ka marrë fund. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih u bë shumë i qartë hendeku mes të dyja anëve të Atlantikut, shkruan Matthias von Hein.

Përbrenda kishte kohë që ziente. Por tani krisjet në marrëdhëniet transatlantike kanë dalë në pah më shumë se kurrë më parë. Replika e ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo ndaj fjalimit hapës të Konferencës së Sigurisë, të mbajtur nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier tregon: Europa ose të paktën Berlini e më shumë Parisi janë larg Uashingtonit më shumë se kurrë më parë.

Imazhi i armikut – Kina

Delegacioni amerikan në Mynih, për një vit zgjedhor shumë i madh, u përpoq vërtet që të mbyllte hendekun e krijuar në të dyja anët e Atlantikut, ndryshe nga qeveria e presidentit Trump. Në një pikë janë të një mendimi kongresi amerikan dhe qeveria: Kina është armiku i ri. Kundrejt këtij kërcënimi, kështu shpresohet, mundet që europianët dhe amerikanët të kthehen tek të përbashkëtat e tyre. Sidoqoftë nuk pati ndonjë panel dsikutimi, fjalim apo bisedime në Mynih, në të cilën nga pala amerikane nuk u përmend zgjerimi i rrjetit të telekomunikacionit 5G. Përfshirë edhe paralajmërimet masive, në rast të lejimit të Huaweit si ofrues të pajisjeve të rrjetit. Megjithë shqetësimet e drejta: Gishti i ngritur gjithmonë lart sjell më shumë refuzim.

Ajo që dihet: Një rikthim në kohët e lumtura të marrëdhënies miqësore së ngushtë transatlantike nuk do të ketë më. Të paktën nga ana retorike europianët janë zgjuar. Shumë flitet për një Europë sovrane në politikën strategjike. Kërkohet që Gjermania të mësojë sërish gjuhën e pushtetit, të cilën presidenti Macron duket se ndërkohë e zotëron.

Pikë për idenë franceze

Me vështrim nga marrëdhëniet transatlantike duket se po konfigurohen tre pozicione: Vizioni francez i pavarësisë europiane. Pozicioni i afrimit maksimal me Uashingtonin pavarësisht se s ç’ndodh e që gjendet sidomos në Europën Lindore. Dhe pozicioni i pavendosmërisë mes këtyre dy poleve, që gjendet kryesisht në Gjermani. Me një lloj sigurie mund të thuhet: Nëse Donald Trump zgjidhet edhe për katër vite në Shtëpinë e Bardhë, pozicioni francez do të fitojë gjithnjë e më shumë mbështetje, edhe në Berlin.

Dinamikë për debatin europian

Ndoshta paraqitja e presidentit francez, Emmanuel Macron mund të quhet vërtet pika kulmore e Konferencës së Sigurisë. Ai lufton i angazhuar për vetëpavarësimin europian. Ai dëshiron një politikë të përbashkët në fushën e mbrojtjes dhe atë të jashtme. E nëse nuk arrihet kjo me 27 vendet anëtare të mbetura pas Brexit, atëherë mjaft mirë edhe me ato vende anëtare, që si Parisi duan të krijojnë një Europë të aftë, para “rivalitetit të superfuqive”, të përmendur aq shpesh në konferencë.

Emmanuel Macron ka nxjerrë një konkluzion: Ambiciet nuk mjaftojnë në botë. Duhet edhe aftësia për to. Reagimet gjermane në Mynih ishin përgjithësisht miratuese. Por nëse ato do të pasohen nga veprat, mbetet të pritet./DW