Sport Analiza/ Maignan, Tonali dhe Leao, Milan me nga një protagonist për çdo...

Analiza/ Maignan, Tonali dhe Leao, Milan me nga një protagonist për çdo repart: Si fitoi derbin

Milani nuk fitonte dy herë radhazi në derbi prej 11 vitesh. Në atë kohë skuadra kuqezi ishte e mbushur me lojtarë me kualitet, me një Ibrahimoviç më të ri dhe Tiago Silvën, sa për të përmendur dy emra.

Tani kampionët e Serisë A kanë lojtarë më pak të afirmuar, por të destinuar të hyjnë në historinë e klubit. Në fitoren e fundit ndaj Interit, përveç një kolektivi solid që vepron përmendësh në fushë, një rol thelbësor patën tre lojtarë, nga një për çdo repart: Maignan, Tonali dhe Leao.

Portieri francez na ka mësuar me lojëra të tilla. Ai vrau shpresat e Interit me pritje vendimtare, ajo ndaj Çalhanoglu mbi të gjitha. Një nivel që e çojnë Maignan në vendet e para të klasifikimit botëror të përfaqësuesve të rolit të tij.

Tonali fitoi duelin me Barelën, duke u bërë protagonist i një paraqitjeje të jashtëzakonshme, me topa të rikuperuar dhe pasime vendimtare.

Dhe pastaj Leao. Mjafton të shohësh tabelën, me 2 gola dhe një asist për Zhiru. Por ka edhe më shumë. Ai po përmirësohet gradualisht në një nga të paktat gjëra që i mungojnë, vazhdimësia. Sepse kur ndizet, u bën dëm të gjithë kundërshtarëve.

Pastaj duhet theksuar edhe rëndësia e trajnerit Stefano Pioli. Milani e di gjithmonë çfarë duhet të bëjë dhe, edhe pse plani ndryshon sipas kundërshtarit, karakteristikat bazë dhe principet e lojës mbeten po ato.

Në derbi i kërkoi Tonali të spostohej majtas për të krijuar probleme në daljet e kundërshtarit në një pjesë të fushës, ku Teo Hernandez dhe Leao janë vrastarë.

Rrezikoi shumë, sidomos me zgjedhjen për ta mbajtur mbrojtjen lart dhe për të bërë presion kur sulmuesit e Interit tërhiqeshin. Duhet rregulluar diçka në pjekurinë për administrimin e momenteve kur kundërshtari të vë përpara, por Milani tregoi se është në gjendje t’i përballojë vështirësitë, edhe me vuajtje.

Kampionët e Italisë janë në nivelin e kërkuar. Tani ka ardhur momenti që ta tregojnë se janë të tillë edhe në Europë.