Sport ANALIZA: Pas derbit, vetëm errësirë: rënia e Milanit është e frikshme!

ANALIZA: Pas derbit, vetëm errësirë: rënia e Milanit është e frikshme!

Eliminimi në Kupën e Italisë ndaj Lazios është fotografia e një momenti tejet të vështirë për Milanin. Ashtu si pranverën e vitit të shkuar, kuqezinjtë kapitullojnë sërish edhe këtë vit. Në shtatë ndeshje, vetëm 1 fitore (e arritur ndaj Lazios në “San Siro”). Bilanci është tragjikisht një fotokopje e sezonit të shkuar.

Në krye të asaj skuadre ishte trajneri aktual, Gennaro Gattuso. Sezonin e shkuar, në periudhën mars-prill mund  të kishte justifikimin e faktit që e mori ekipin vetëm në fillim të dhjetorit, duke pasuar Montellan, këtë sezon bëri gjithçka vetë: fazën përgatitore të verës, zgjedhjen e modulit dhe sidomos punën individuale me ekipin.

Derbi fatal

Deri përpara ndeshjes me Interin, kuqezinjtë vinin nga plot shtatë fitore dhe dy barazime në kampionat, me 24 pikë, më mirë dhe se Juventusi e Napoli në atë periudhë. Jo vetëm kaq, por edhe mbrojtja gëzonte shëndet të plotë.

Pas asaj humbje 3-2, ku ishin favoritë për të fituar, magjia është prishur dhe, në pesë javët e mbetura, kuqezinjtë duhet të tregojnë se e meritojnë vendin e katërt në renditje, pra të kthehen në Champions, ndryshe projektet e klubit do të prisheshin pa nisur ende mirë.

Nyja “Torino”

“Nuk e di nëse e kam skuadrën në dorë ose jo! Shoh jo vetëm rënie fizike, por edhe psikologjike, sidomos në faktin se loja ka bërë shumë hapa mbrapa. Kërkojmë falje për paraqitjen ndaj Lazios, tifozët nuk e meritonin. Tani duhet gjetur forca për të reaguar në objektivin që na ka mbetur. Duhet dhënë maksimumi. Duhet të dalim nga ky tunel”, kështu e ka komentuar Gennaro Gattuso eliminimin dhe lëshon sinjalin e frikshëm.

Pasi i ka dhënë lamtumirën Kupës së Italisë, Milani tashmë përgatitet për sprintin final, muajin deçiziv për fatet e sezonit. Me pikë të barabarta me Atalantan, në vend të katërt, por i avantazhuar nga ndeshjet direkte, duhet të mbrojnë këtë pozicion. Transferta në Torino, kundër ekipit të Mazzarrit, që po kalon moment forme fantastik, është nyja e sezonit.

Suso & Co

Milani duhet të mbledhë forcat dhe duhet ta bëjë shpejt. Suso është fantazmë në fushë dhe nuk bën një lëvizje prej kampioni prej shumë kohësh. Tashmë driblimet e tij dhe kthesat me trup i kanë mësuar përmendësh.

Kessie është shumë i lodhur fizikisht dhe jo vetëm që nuk ndjek dot kundërshtarët, por edhe gabon pasime elementare. Bakayoko gjithashtu po vuan jo pak dhe nuk ka më freski, ndërsa Calhanoglu ka limite të tmerrshme personaliteti. Piatek është gjithmonë e më shumë i izoluar

Leonardo

Drejtuesit e klubit, ndërkohë, gjatë gjithë ndeshjes dje në tribunë kanë tundur kokën, si për të konfirmuar se ekipi nuk ka lojë dhe ide.

Jo vetëm faji i trajnerit, por edhe i merkatos së bërë nga Fassone dhe Mirabelli. Futbollistë që janë shumë mesatarë dhe që nuk sjellin atë diferencë. Maldini është dukur më i zhgënjyeri, pasi ai i rinovoi besimin Gattusos më shumë se Leonardo, që tashmë ka nisur të shohë një zëvendësues.

Projekti taktik i Rinos ka dështuar, teksa tani do të nisë puna e Leonardos, që ka disa emra që po studion, por fillimisht duhet arritur Champions, për bilancet dhe merkaton, sigurisht. Më pas, do të vendoset për emrin e trajnerit.

Pëlqehen disa emra e profile, nga Antonio Conte, te Rudi Garcia, për të vazhduar me ëndrrën “Pochetino”.