Uncategorized ANALIZA/ Pesë shtyllat për të kuptuar suksesin e Benjamin Netanyahut

ANALIZA/ Pesë shtyllat për të kuptuar suksesin e Benjamin Netanyahut

Nga karizma e tij dhe deri te fushata elektorale e përgatitur mirë gjenden pesë shtyllat që mund të shpjegojnë suksesin e Benjamin Netanyahu në zgjedhjet legjislative të Izraelit, pavarësisht akuzës për korrupsion.

1 – Polarizimi

Në Izrael, Benjamin Netanyahu nuk lë asnjë ose pothuajse asnjë njeri indiferent. Mbështetësit e tij e adhurojnë, madje e nderojnë deri në atë pikë sa ta quajnë “mbreti Bibi”. Kundërshtarët e tij e urrejnë atë, ndonjëherë me gjithë zemër.

Kur, nëntorin e kaluar, prokurori Avichai Mandelblit e akuzoi atë për korrupsion, përvetësim dhe shkelje të besimit, ai menjëherë denoncoi një “grusht shteti” të drejtuar nga drejtësia dhe luajti kartën e një lufte midis sistemit (drejtësia,media) dhe popullit.

Gjatë dy fushatave të fundit, në prill dhe shtator, Netanyahu ishte i dyshuar për korrupsion, por nuk u akuzua zyrtarisht. Ai e shndërroi këtë dizavantazh në forcë duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që ta “shpëtojnë” atë nga kthetrat e drejtësisë.

“Kryeministri zhvillonte dy ose tre takime çdo mbrëmje për të rigjallëruar bazën e tij”, thotë Avi Hyman, një anëtar i ekipit të fushatës së Netanyahut.

2 – Frika nga Irani

Benjamin Netanyahu u përball me tri ish-shefa të shtabit të ushtrisë në këto zgjedhje: Benny Gantz (2011-2015), kundërshtari i tij kryesor dhe drejtuesi i partisë centriste “Bardheblu”, i cili gjithashtu ka në listën e tij Gabi Ashkenazi dhe Moshé Yaalon.

Përballë këtij triumvirati ushtarak, Benjamin Netanyahu vazhdoi të luante kartën e “kërcënimit” të paraqitur ndaj Izraelit nga Irani dhe grupet islamike të armatosura palestineze. Dhe e prezantoi veten si mbrojtësin e madh të Izraelit.

3 – Segmentimi i votës

Votë etiopiane, ruse… Ai mesa duket synonte elektorat shumë specifik në këtë fushatë për zgjedhjet legjislative të cilat priteshin të kishin rezultat të ngushtë, në mënyrë që të fitonte vota nga kundërshtarët e tij.

Partia “Bardheblu” për shembull, kishte dy deputetë etiopianë të zgjedhur në shtator. Netanyahu zgjodhi një.

Ai gjithashtu luajti në marrëdhënien e tij të mirë me presidentin rus Vladimir Putin dhe shtoi mesazhet në rusisht për miliona izraelitë nga ish-BRSS për të marrë votat e  partisë nacionaliste laike ”Israel Beiteinou” e cila synon votat ruse, por panë që rezultati i tij të binte.

4 – Makina ”Likoud”

Partia e kryeministrit, ”Likud”, është një makinë e fuqishme që synon mbështetjen lokale, duke u dërguar pa u lodhur mesazhe votuesve të mundshëm dhe e cila mbështetet në një ushtri vullnetarësh për të ndihmuar mbështetësit të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

Gjatë fushatës, partia ”Likud” gjithashtu shtoi një element të ri në makinën e saj: Aaron Klein, një këshilltar, punën e të cilit Benjamin Netanyahu e vlerësoi gjatë fjalimit të tij të fitores. Aaron Klein është i afërm i Steve Bannon, ish-drejtori i Breitbart News, një portal i diskutuar i lajmeve të së djathtës radikale amerikane, dhe ish-strategut të Donald Trump.

Koincidencë apo jo? Fushata u shënua nga një seri skandalesh që synonin në veçanti të ngrinin  dyshime mbi integritetin e Benny Gantz, me video montazhe që tregonin atë të prononcohej, informacione jo të besuara të cilat thoshin se telefoni i tij ishte hakeruar nga Irani, pretendimet për ryshfet…

Gantz denoncoi një seri sulmesh “false”. Presidenti Reuven Rivlin shprehu keqardhje për një fushatë të ndyrë dhe të mjerueshme, që i shkaktonte atij turp të thellë.

5 – “Dobësia” e Gantz

Benny Gantz u shfaq në këtë fushatë si favorit. Por, komentuesit mbeten unanim për fushatën e tij  të cilën ata konsideruan si të ngadaltë ose pa drejtim të qartë.

Duke provuar të merrte votat nga ”Likud”, Gantz bëri fushatë nga e djathta, duke rritur kritikat ndaj liderëve arabë që e kishin mbështetur, më kot, për postin e kryeministrit në vjeshtë.

Si rezultat, partia e tij nuk arriti të bindë votuesit e saj, të bashkuar nga kundërshtimi i tyre ndaj Netanyahu dhe parullës së tyre “gjithçka përveç Bibit”, të votonin masivisht dhe mori kritika të ashpra nga aleatët e saj.

Udhëheqësi i së majtës, Amir Peretz, akuzoi Gantz se kishte zhvilluar “një fushatë të papërgjegjshme”, e cila “minoi” të gjithë bllokun anti-Netanyahu.

Epilog – Plani i Trump

Është e vështirë të vlerësohet ndikimi i planit Trump për Lindjen e Mesme, i cili parashikon aneksimin nga Izraeli të pjesëve të Bregut Perëndimor, në fitoren e Netanyahut.

Ky plan, i mbështetur në të njëjtën kohë nga Gantz dhe Netanyahu, është vendosur në axhendën politike.

Netanyahu shumëfishoi njoftimet për ndërtimin e banesave të reja në kolonitë izraelite në Territoret Palestineze.