Kryesore ANALIZA/ Pse duhet rivotuar Rama për një qeveri pa koalicione

ANALIZA/ Pse duhet rivotuar Rama për një qeveri pa koalicione

Demokracia është një mekanizëm që na siguron se do të qeverisemi siç e meritojmë“/ Xhorxh Bernard Shou

Në shkrimin tim të mëparshëm me titull “Kur hiqen maskat”, ndër të tjera, pata pohuar se zoti Edi Rama nuk e plotëson imazhin tim për drejtues të vendit por, në kushtet aktuale, ai duhet rivotuar, madje të ketë mundësi të formojë qeveri i vetëm, pa koalicione. Është normale që shumëkush të mos pajtohej me këtë mendim timin, por janë të pakuptueshme pezmatimet dhe lajthitjet e disa “burimeve” që kërcyen përpjetë nga shkrimi im.

Në përfytyrimin tim për drejtuesin e shtetit shqiptar nuk ndodhet “mbinjeriu”, por një figurë njerëzore që mishëron dhe shfaq tiparet më të arrira të personalitetit dhe dinjitetit njerëzor si mençurinë, kulturën, moralin e lartë, atdhedashurinë, modestinë, humanizmin dhe dashurinë e respektin për njerëzit në tërësi dhe për të vegjlit e të varfrit në veçanti, dëshirën, vullnetin dhe zotësinë për të ndërmarrë veprime dhe reforma që i shërbejnë jo pushtetit vetjak por, kryesisht, të sotmes dhe të ardhmes së popullit.

Dëshira për ta gjetur dhe vendosur në krye të punëve shtetërore individin e përshtatshëm duket se do të mbetet utopi. E tillë ka qenë thuajse kurdo dhe kudo në botë. Edhe sikur një figurë e dëshiruar të ekzistonte dhe të arrihej ngritja e saj në krye të vendit, lind pyetja e madhe: me cilët do të punojë dhe drejtojë ky njeri? Mirëpo, bindja ime është se një njeri i pajisur me të gjitha cilësitë e larta morale e kulturore jo vetëm nuk do të gjente përkrahjen e shumicës së shqiptarëve por, ashtu si Sokrati dhe Krishti në Lashtësi apo të tjerë më vonë, ai, më së shumti, do të mallkohej, fyhej, poshtërohej dhe “gjuhej me gurë” duke e shpallur si rrezikun më të madh.

Mëdyshja ime më çon tek pyetja: A e meritojmë ne si shoqëri vërtetë një figurë të tillë udhëheqëse? Nuk ka dyshim se një pjesë e popullit e meriton, por a e meritojnë atë të gjithë ata që janë pasuruar gjatë 27 vjetëve? Them se jo, pasi shumica e këtyre janë pasuruar përkundër çdo norme ligjore dhe vlere morale. Janë pasuruar në mënyra të paligjshme e kriminale në kurriz dhe në dëm të interesave dhe të jetës së shoqërisë shqiptare? Nuk e meritojnë një figurë të tillë as ata që këto 27 vjet i kanë thurur lavdi imorales dhe të padrejtës; dhunimeve të zgjedhjeve të lira dhe ligjeve të shtetit; as ata që i kanë përdorur postet e tyre për zhvatjen e popullit, por edhe ata që zhvatësit e popullit i quajnë “të zotët” dhe njerëzit e ndershëm i quajnë “askush”; as ata që drejtësinë shqiptare e kanë konsideruar dhe përdorur si ankand të së drejtës së qytetarëve. Për më pak ata që bixhozin, drogën dhe prostitucionin i shpallën dhe i ushtruan si zanate “fisnike” të modernitetit; ata që nxitën, lejuan dhe realizuan shkatërrimin e shumicës së vlerave materiale të krijuara nga populli shqiptar gjatë shekullit të njëzetë; ata që vrasin për gjakmarrje apo që grabisin në rrugë; grabitësit e tokave dhe ndërtuesit pa leje; zjarrvënësit e pyjeve dhe eksploduesit e shtyllave të tensionit të lartë; gangsterët e marifeteve sportive dhe  batakçinjtë e “artit” komercialist pa vlera artistike dhe me antivlera morale; mjekët e turpit që kanë zhvatur e zhvatin fukarenjtë e sëmurë apo avokatët sekserë pa din e iman etj. etj.? E, siç të gjithë e dimë, përqindja e shqiptarëve që bëjnë pjesë në “ata” duhet të jetë, mjerisht, fort e madhe dhe rrëqethëse.

Duke i ditur këto, duke e ditur shkallën e pjekurisë sociale dhe nivelin kulturor e moral të shoqërisë, ne duhet të arrijmë në përfundimin se ajo që kemi përfaqëson atë çfarë jemi. Ajo që një popull meriton në një moment të caktuar historik është mesatarja e vlerave morale dhe e niveleve kulturore të pjesëtarëve të asaj shoqërie. Që vlerat më të larta kulturore, morale dhe atdhetare të ngrihen në krye nevojitet që shumica e pjesëtarëve të shoqërisë, jo vetëm të jenë bartës të këtyre vlerave, por edhe luftëtarë të paraqitjes dhe mbrojtjes së tyre. Atje ku dominon injoranca ndihet e persekutuar kultura, atje ku dominojnë veset ndihet dhe është i shtypur virtyti.

Kur gjykojmë sot se kujt i duhet dhënë vota mund të mbajmë dy qëndrime: Nëse presim njeriun që s’e kemi por që, ndoshta, edhe s’e meritojmë, atëherë mund të konkludojmë se nuk duhet shkuar fare për të votuar ose duhet shkarravitur fletëvotimi. Ky opsion që ofrojnë disa “burime” mund të shprehë revoltë të justifikueshme, por nuk zgjidh asnjë problem. Së pari është e pamundur t’i bindësh 100% shqiptarët ta bëjnë këtë veprim dhe për pasojë mund të zgjidhet edhe më i keqi. Sikur të arrinim t’i bindnim të gjithë shqiptarët për bojkot, do të mbeteshim pa qeverisje. Si t’ia bëjmë atëherë? Të ftojmë të na qeverisë ish-sanxhakbeun e Jugut?

Bindja ime është se bojkotet nuk janë zgjidhja. Zgjidhja vjen gradualisht vetëm nëpërmjet edukimit dhe ndërgjegjësimit të popullit duke e bindur atë se votimi për shkaqe fisnore, krahinore, për interesa të çastit, thjesht politike apo tradicionale dhe jo inkurajimi dhe votimi për individët shoqërisht të vlefshëm, do të na lërë gjithnjë mbrapa dhe fajtorë do të jemi vetëm ne. Në këto kushte, mbetet votimi për “të keqin më të mirë”. Prandaj, çdo shqiptar i përgjegjshëm duhet të shkojë tek qendra e votimit dhe t’ia japë votën atij subjekti politik për të cilin, në vetëdijen e tij, larg pasioneve të veta, është i bindur se ka bërë dhe mund të bëjë disa punë më të vyera se pjesa tjetër e politikës shqiptare.

Përpjekjet që bëjnë disa analistë për të marrë si shembull Francën apo vende të tjera evropianoperëndimore duke pretenduar se atje populli i bojkotoi zgjedhjet apo iu dha “karton të verdhë” disa forcave politike etj.etj. as nuk qëndrojnë dhe as do të mund të zbatoheshin në Shqipëri e cila ndodhet në faza të tjera të pjekurisë dhe zhvillimeve ekonomike e politike dhe, mbi të gjitha, në prag të hyrjes në BE. Në këto kushte, shqiptarët nuk e kanë luksin të hedhin “vickla” politike sepse i kushtojnë të ardhmes së tyre dhe të vendit.

Përrallat dhe gënjeshtrat me hapje vende pune, me “begati” marramendëse, me financime të bujqësisë apo të shkollimeve universitare, me rritje të dëshiruara, por të pamundshme të rrogave e pensioneve, janë karakteristika të përbashkëta të thuajse të gjitha forcave politike aktuale. Dallimet nuk qëndrojnë këtu. Unë, duke iu referuar dy problemeve themelorë që bëjnë dallimin, përsëris  se, në kushtet që jemi sot, duhet rivotuar, madje më bindshëm Rama.  Po i cek edhe në këtë shkrim dy pikat të cilave iu referova. Së pari, me gjithë gabimet e bërë gjatë rrugës, Rama dhe qeveria e drejtuar prej tij janë të vetmit që bënë përpjekje për forcimin e ligjit dhe të shtetit duke qenë të vetëdijshëm se këto përpjekje do të bënin shumë të pakënaqur. Dhe dihet se pakënaqësitë, edhe pse shkaktohen në mënyrë të ligjshme dhe për qëllime që iu shërbejnë interesave popullore e kombëtare, ato rrezikojnë pushtetin e qeverisësve. Cila parti apo cili politikan tjetër ia ka lejuar vetes të lëshojë pushtet për hir të shtetit siç veproi Rama, pas ngujimeve në çadër të opozitës? Madje, edhe kur bota perëndimore ia ndezi dritat jeshile për zgjedhje pa opozitën? Vetë ai që ngriti çadrën, Sali Berisha e pranoi publikisht se nuk do ta kishte bërë kurrë lëshimin që bëri Rama. A mos duhet të besojmë se kjo marrëveshje ishte meritë e atyre që zotoheshin të linin të gjitha postet politike “për hir të paqes” dhe tani, për rrahjen e një anëtari partie nga s’dihet se kush dhe përse, bëjnë thirrje për armatosje, që do të thotë për konflikt dhe luftë?

Së dyti, nga të gjitha kategoritë shoqërore e politike, socialistët kanë më shumë të drejtë të jenë të pakënaqur nga Rama, por momenti historik dhe politik e kërkon që, në mos të gjithë, shumica dërmuese e votuesve të së majtës në 2013, t’ia japin votat PS-së. Të gjithë ata shqiptarë, të majtë apo të djathtë, që dëshirojnë të bëhet sadopak përmirësim në fushën e reformës në drejtësi duhet që të votojnë atë forcë politike që ka qenë konsekuente në formulimin, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të ri për drejtësinë. Ta duash reformën e drejtësisë dhe të votosh ata që e kundërshtuan dhe u përpoqën ta sabotojnë do të thotë t’i sakrifikosh dëshirat, bindjet dhe interesat e tua dhe të vendit për hir të përkatësisë partiake apo prirjeve tradicionale të votimit. Nëse elektorati shqiptar do të votojë në atë mënyrë që berishizmi të rikthehet në pushtet si shumicë qeverisëse (gjë që s’ka të ngjarë) i maskuar si “Republika e Re” apo si pjesë e detyrueshme bashkëqeverisëse e mishëruar në “qeveri besimi” apo me përfaqësues të moralit politik që tani ka hequr maskat dhe na thotë se Berisha dhe berishizmi janë “seriozë” dhe “me karakter” dhe, njëlloj si Sali Berisha një vit më parë, kërcënojnë me armatosje të popullit, atëherë reforma në drejtësi do të jetë produkt pazaresh politike dhe, rrjedhimisht, do të dështojë.

Një “burim” replikues me shkrimin tim të lartpërmendur thoshte se dhënia Edi Ramës e 71 apo më shumë deputetëve do të çojë në pazar, në dështim të reformës dhe në amnisti të krimeve të politikës. Me keqardhje e them se arsyetimi i mësipërm është fëmijëror.  Pazaret dhe amnistitë, përveç rasteve kur mungon karakteri i kryeqeverisësve, nuk kanë arsye të bëhen. Këto pazare bëhen të detyrueshme kur ta imponojnë përqindjet e deputetëve në parlament, pra kur ke më pak se 71 vota.

Ramës mund t’i bëhen shumë kritika, por nuk është faji i tij pse nuk janë dënuar nga drejtësia zyrtarë të lartë shtetëror të mëparshëm. Për aq kohë sa nuk është bërë si duhet reforma e drejtësisë, edhe sikur një mijë figura politike të ishin paditur nga qeveria Rama, ato do të kishin fatin e vendimeve të dhëna për skandalin e korrupsionit me 230 milion euro në rrugën e kombit apo për krimin e nënshkrimit të marrëveshjes antikombëtare të detit me Greqinë etj.

Kritikët e shkrimit tim paraardhës pretendonin se t’i japësh një mandat më të madh Ramës në këto zgjedhje është njëlloj sikur liderët ndërkombëtarë t’i jepnin njërës prej bankave të falimentuara të vitit 2008 monopolin e vazhdimit të spekulimit. Krahasime të tilla nuk i qëndrojnë as të vërtetës historike dhe as arsyes. Nuk i qëndrojnë të vërtetës sepse “liderët botëror” bënë pikërisht këtë: Në vend që institucionet gjigante financiare dhe ato industriale të nisnin procedurat e falimentimit dhe fajtorët të shkonin në burg, “udhëheqjet demokratike” të këtyre vendeve i pritën në takime lypsarët e ardhur me avionë privatë dhe nëpërmjet sistemit bailout, morën qindra miliarda dollarë dhe euro nga paratë e popullit që ishin të depozituar në buxhetin shtetëror dhe ua shpërndanë manjatëve spekulantë. Pse? Përgjigjen e dha ish-Presidenti francez, Nikolas Sarkyzi: Për të shpëtuar sistemin kapitalist.

Nga pikëpamja logjike krahasimi i replikuesve nuk qëndron pasi në rastin e bankave dhe  korporatave industriale kishim të bënim me biznese private që duhej t’i nënshtroheshin rregullave të tregut, por iu nënshtruan interesave të oligarkisë, interesa që dominuan edhe ligjet e shtetit dhe, rrjedhimisht, edhe interesat e popullit. Në rastin tonë kemi të bëjmë me qeverisjen e gjithë shoqërisë. Atje nuk u pyet populli. Këtu duhet pyetur. Nëse ka një më të mirë dhe më të besueshëm se Rama le ta votojë. Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me çështje kulture, morali dhe interesat e kujt mbron.

Në shkrimin tim të mëparshëm nuk kam folur për një bashkëqeverisje të mundshme PS-PD sepse deri tani ka thjesht hamendje dhe hamendjet nuk komentohen. Të gjithë ata që nuk e dëshirojnë, ashtu si unë, një bashkëqeverisje të tillë duhet që të kenë një arsye më shumë për të votuar PS-në në 25 qershor. Përndryshe, jo vetëm që reformat do të jenë gjysmake, por edhe Ramës do t’i jepet një pretekst për dështimet e mëvonshme./ DITA