Kryesore ANALIZA/ Zjarri ndërkombëtar sirian

ANALIZA/ Zjarri ndërkombëtar sirian

284
0
Shpërndaje

Nga Gjergji Kajana*

Raketat e sotme amerikano–franko–britanike mbi Sirinë përfaqësojnë thjesht një etapë e aspak një prolog të masakrës 7-vjeçare në atë vend. Trump nuk vepron në Damask e Homs për shkak të një vullneti të palëkundshëm për të mbyllur konfliktin rajonal (jo civil) sirian por sepse është president i një vendi që ndjen mbi vete përgjegjësinë morale për të mbrojtur civilët nga një sulm kimik barbar dhe sepse gjeopolitikisht Amerika duhet të jetë në krah të Izraelit kundër fuqizimit të krahut shiit në Lindjen e Mesme. Krahu shiit përfaqësohet nga triptiku Iran–Asad –Hezbollah (grup i cili vepron në Liban e synon dobësimin e Izraelit) e në pjesën Asad sheh aleancën e Rusisë, me të cilën amerikanët nuk po dinë të vendosin një dialog konstruktiv të shpresuar.

Lufta në Damask nisi para 7 vjetësh si shtypje në djep prej presidentit shiit Asad e një pranvere shumë të shkurtër siriane protestash për demokraci.

Kundër presidentit u kualizuan me amë në dorë dy palë: rebelët e përkrahur nga SHBA dhe xhihadistët sunitë, shumë të liruar prej burgjeve nga vetë Asadi për t’i treguar botës se ai në pushtet ishte garancia më laike ndaj një rrëshqitjeje të vendit në muzgun integralist. Arriti të mbahej në pushtet në sajë të ndihmës së Iranit e prej 2015-s të Rusisë. Teherani përkrah Asadin si gur i urës shiite që kërkon të bëjë Iranin shtetin hegjemon të Lindjes së Mesme kundër Arabisë Saudite sunite e Izraelit. Rusia është armike historike e xhihadizmit sunit dhe ka interesa ushtarako-strategjike në Siri qysh prej periudhës sovjetike. Rusia, Irani, përkrahja e Katarit për Shtetin Islamik, loja e dyfishtë me këtë Shtet e Turqisë dhe ndërhyrjet e Ankarasë kundër kurdëve i dhanë luftës së nisur civile një dimension rajonal. Trembur nga pasojat e një tejshtrirjeje të përfshirjes ushtarake amerikane, Obama u mjaftua vetëm me ndihmën ndaj rebelëve sunitë e bombardime nga ajri të Shtetit Islamik, pa guxuar të godiste drejtpërsëdrejti Asadin – paçka se armët kimike janë përdorur disa herë prej 2012-s nga qeveritarët.

Tunduar fort deri para pak ditësh nga ideja e braktisjes totale të teatrit sirian, Trump ka ndjerë më fort se Obama nevojën për të vepruar në Siri. Presidenti është ithtar i teorive të ish-këshilltarit të tij Banon. Në këto teori armiqtë e qytetërimit euroamerikan janë Kina (me të cilën Uashingtoni ka nisur një luftë tregtare të dëmshme si të gjitha këto lloj konfliktesh), Irani e Turqia. Duke u goditur Asadi nuk goditet vetëm vrasësi me gaz i “fëmijëve të mrekullueshëm”: goditet dora e gjatë e Teheranit në Mesdhe, në pritje që Uashingtoni të grisë marrëveshjen e 2015-s që siguron ndalimin e programit bërthamor iranian. Për momentin Trump nuk ka ndër mend të përfshihet në një luftë të gjatë në Siri e mjaftohet me respektimin e vijës së kuqe të vendosur nga Obama në 2012: përdorimi i armëve kimike. Në vizionin Banon Moska, aleate e Asadit, është pjesë e qytetërimit euroamerikan e nuk përbën rrezik madhor për Uashingtonin.

Si do të reagojnë Moska e Teherani ndaj sulmeve të kësaj nate? Duke pasur parasysh racionalitetin e mosprovokimit të një konflikti ushtarak katastrofal, do të mjaftohen tek protestat diplomatike. Nuk do të ndjekin pjesën ku, në fjalimin me të cilin lajmëroi sulmet, Trump i pyeste: “Cilat lloje kombesh duan të asociohen me vrasjet masive të burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm? Kombet e botës mund të gjykohen prej miqve që ata kanë”. Për Rusinë e Iranin një mik Asad që u siguron daljen në Mesdhe vlen më tepër sesa fjalët e presidentit të një superfuqie. Do t’u interesonte fort veçse të përmbanin Asadin prej përdorimit të armëve kimike përsëri sepse atëherë Trump, futur në logjikën e zbatimit të vijës së kuqe Obama, do të detyrohej të godiste më fort.

Nëse Trump, në një moment të dytë e provokuar nga aventurat kimike të Asadit, do të vendoste për një bombardim më të fortë të Damaskut rreziqet për paqen botërore do të rriteshin eksponencialisht sepse Rusia e Irani do të detyroheshin të përkrahnin më masivisht diktatorin e mbase Izraeli do t’i bashkangjitej amerikanëve.

Siç u pohua në krye, lufta është e destinuar të vazhdojë. Mbrojtur e bashkëngjitur nga rusët e iranianët, qeveritarët e Asadit kontrollojnë krejt pjesën qendrore të Sirisë. Luftohen pa fuqi nga rebelët sunitë në perëndim e pjesët e mbetura të Shtetit Islamik në kufirin me Irakun. Kurdët janë në mbrojtje prej sulmeve turke, që synojnë të mos lejojnë këtë faktor të forcohet. Nëse SHBA nuk i ndihmojnë rrezikojnë të defaktorizohen totalisht edhe në Siri, siç ndodh prej dekadash në Turqi. Pa një ndërhyrje masive perëndimore kundër Asadit ky është fitues i padiskutueshëm i luftës dhe Perëndimit do t’i duhet të gëlltisë mbetjen në pushtet të një tjetër diktatori në Lindjen e Mesme. Pasi ka marrë supremacinë në Irak e lufton me Arabinë Saudite në Jemen, faktori shiit do të rimerrte kontrollin e Sirisë e do të gjendej përballë Izraelit, armiku i betuar rajonal i Iranit në Lindjen e Mesme.

Dy partnerët e Amerikës në sulmin ndaj Asadit ishin Britania e Madhe e Franca. Ndërsa e para përgatitet të lërë Bashkimin Evropian pas një goditjeje dielli në kokën e elektoratit britanik në 2016-n, Parisi është forca më euroentuziaste e këtij Bashkimi. Mik më i mirë me SHBA-të trumpiane sesa Gjermania merkeliane, Makron do të nderonte Francën e BE-në nëse do të përdorte fuqinë diplomatikë franceze në tentativa paqeje në Lindjen e Mesme. Presidenti energjik francez ka ditur të ndërmjetësojë verën e vjetshme në konfliktin libik e do të ishte i mirëpritur çdo ndikim i tij tek Trump për ta diskutuar ky krizën siriane me homologun e tij rus Putin. Paqja në Siri do ta shpëtonte BE-në nga një vërshim i ri refugjatësh si në 2015-n e do t’i lehtësonte kështu barrën në luftën e saj ekzistenciale me populistët që ushqejnë retorikën e tyre të hidhur tek frika e pushtimit të Evropës nga emigrantët.

*Diplomuar në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit “La Sapienza”

/American Eye

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in