Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka dhënë një intervistë për RSI, një podcast i drejtuar nga Armando Ceroni. Mes rrëfimeve që ndau, foli edhe për të kaluarën e tij tek Evertoni, megjithëse kishte pasion për skuadrën rivale të qytetit:
“Ëndrra ime ishte të stërvisja Liverpool-in, por më pas u gjenda tek Everton dhe përjetova rivalitetin e tyre. Tani jam absolutisht tifoz i Evertonit. Më pëlqeu shumë ambienti, sepse ka një pasion të jashtëzakonshëm për ngjyrat e klubit. Atje vëren edhe vuajtjen që kanë tifozët përballë Liverpool-it, që prej shumë vitesh dhe ende sot mbizotëron në Premier League”.
Më tej, për kalimin te Real Madridi: “A u befasova kur Florentino Pérez më thirri sërish? Në fakt, isha unë që i telefonova. Një vit më parë e kisha kontaktuar për të parë nëse kishte lojtarë të lirë për ne, tek Evertoni kishim marrë James Rodriguez. Vitin pasues e dija që po kërkonin trajner dhe, kur fola me presidentin, i thashë se duhej të merrnin një të mirë”.
Së fundi, foli edhe për ish-sulmuesin e Milanit, Filippo Inzaghi: “Ishte një talent i madh, sepse dinte të lexonte situatat dhe të çlirohej nga mbulimi si askush tjetër. Ka shënuar, besoj, më shumë se 300 gola, por mendoj se ato të shënuar me më shumë se një prekje nuk i kalojnë 10 për qind”.
“Carletto” foli edhe për refuzimin e tij ndaj kombëtares italiane: “I thashë jo kombëtares italiane sepse nuk kisha dëshirë… Më pëlqen shumë të jem çdo ditë në fushë, duke përgatitur stërvitjet. Kombëtarja më dukej si një punë ‘part-time’, që do të më bënte të humbisja pak nga pasioni. Vetëm për këtë arsye e refuzova Italinë”.