Sport Andrea Pirlo rikthehet te Juventusi, do të jetë trajneri i ri i...

Andrea Pirlo rikthehet te Juventusi, do të jetë trajneri i ri i Vrionit

Disa dashuri nuk përfundojnë kurrë. Dhe ndonjëherë, pa bërë shumë xhiro, rikthehen. Andrea Pirlo, pas 5 vitesh, kthehet në shtëpinë e Juventusit, ku do të marrë drejtimin e ekipit U-23 bardhezi. Ish-mesfushori i famshëm italian do të jetë trajneri i ri i sulmuesit të Kombëtares, Xhakomo Vrioni, i grumbulluar edhe me ekipin e parë të Juventusit në dy ndeshje nga trajneri Mauricio Sarri.

Andrea Pirlo u largua nga Torino në vitin 2015 për ta vazhduar karierën në Amerikë, ku edhe u tërhoq nga futbolli i luajtur. Tani kthehet në klubin, ku ka luajtur 164 ndeshje dhe ka fituar 4 tituj kampion në Serinë A, 1 Kupë Italie dhe 2 Superkupa. Juventusi është skuadra e fundit italiane me të cilën Pirlo ka luajtur dhe që ndoshta i ka hyrë në zemër shumë se Milani, që e ka çuar në “çatinë” e Europës.

Tani kërkon ta rifillojë aty, në shtëpinë bardhezi, por në një fushë të re, atë të trajningut. Pirlo, 41 vjeç, ka marrë në vitin 2018 licencën për të drejtuar ekipe të rinjsh dhe ekipet e para deri në Serinë C. Ish-mesfushori do të zërë vendin e Fabio Pekias në stolin e Juventusit U-23, që sapo ka fituar Kupën e Italisë për Serinë C dhe e ka çuar skuadrën në “play off”. Pirlo, si gjithmonë, e ka marrë shumë seriozisht këtë detyrë dhe Vrioni do të ketë çfarë të mësojë nga një prej lojtarëve më të mirë në botë të viteve të fundit. Pirlo ka folur me shokun e fëmijërisë, Roberto Baronio, me të cilin ka luajtur edhe te Breshia, për ta pasur ndihmës të tij.