Politika Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, Rama: Përmbush aspiratën...

Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, Rama: Përmbush aspiratën tonë si komb

Kryeministri Edi Rama, në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, deklaroi se kjo “është një ngjarje me rëndësi historike për vendin tonë, që shënon një hap tjetër në shndërrimin tonë, për të përmbushur aspiratën tonë si komb”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane, së cilës i përkasim”.

“Bota ka ndryshuar dhe është transformuar gjatë 76 vjetëve të fundit. Shumë vende e shoqëri kanë parë jetët e tyre të ndryshojnë rrënjësisht, por mund ta them pa asnjë dyshim se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim, deri në atë pikë sa prirem të bie dakord me miqtë që na thonë se përgjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria është transformuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit. Ky është bilanci ynë, për të cilin jemi krenarë dhe duam ta përmirësojmë më tej. Në ditët e sotme ne vërejmë se vlerat që dikur i merrnim të mirëqena si aspirata për t’u arritur janë vënë në mëdyshje, por, ne që u kemi mbijetuar kohëve të errëta, këto dyshime nuk i ushqejmë, sepse e dimë se cila është alternativa e këtyre vlerave. Ne i kemi vënë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në qendër të agjendës sonë për mandatin në Këshillin e Sigurimit. Ne i shohim ato si përparësitë e organizmit më të fuqishëm në botë”, u shpreh Rama në fjalën e tij.