Bota Anëtarësimi në NATO, Suedia dërgon një delegacion diplomatësh në Ankara për të...

Anëtarësimi në NATO, Suedia dërgon një delegacion diplomatësh në Ankara për të bindur Erdogan

Suedia do të dërgojë një delegacion diplomatësh në Turqi për të diskutuar vendimin e vendit skandinav për të aplikuar për anëtarësim në NATO.

Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde konfirmoi se delegacioni do të vizitojë Ankaranë shumë shpejt.

Kjo erdhi pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se nuk i shikon pozitivisht aplikimet e vendeve nordike për në organizatën Veri-Atlantike.

“Vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste”, u shpreh pak ditë më parë Erdogan, duke nënvizuar se vendi i tij ka mësuar nga gabimet e së kaluarës me pranimin e Greqisë në NATO.

Partia Social Demokratike në pushtet e Suedisë vendosi të dielën se vendi duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Kryeministrja Magdalena Andersson tha se ky do të ishte vendimi më i mirë për sigurinë e Suedisë.

Në një postim në Twitter, Linde e përshkroi lëvizjen e partisë së saj si një “vendim historik”.

“Sot, Partia Social Demokrate e Suedisë mori një vendim historik për të thënë se aplikimi për anëtarësim në Aleancën e Mbrojtjes së NATO-s.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka përkeqësuar situatën e sigurisë për Suedinë dhe Evropën në tërësi,” tha Linde.

Pasi çështja të debatohet në parlament të hënën, Suedia dhe Finlanda pritet të aplikojnë së bashku për anëtarësimin në NATO.

Megjithatë, ka gjasa që pengesa e Ankarasë për Suedinë dhe Finlandën të hiqet. Turqia kërkon që vendet nordike të ndalojnë mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territoret e tyre dhe të heqë embargon për shitjen e disa armëve.

Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon aprovimin unanim të të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës dhe parlamenteve të tyre. Nëse një shtet është kundër, Suedia dhe Finlanda nuk mund të anëtarësohen në NATO.