Politika Anëtari i KQZ Biba: Ja afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe...

Anëtari i KQZ Biba: Ja afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe kandidatëve për kryetarë

Numërimi ka nisur mbrapsht për të interesuarit që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Zëvendëskryetari i KQZ-së, Denar Biba, tregon për A2CNN se kur skadojnë afatet për regjistrimin në zgjedhje. “Deri në datën 21 prill është regjistrimi i partive politike, jo më vonë se 1 maji janë koalicionet dhe jo më vonë se 13 maji është regjistrimi i kandidatëve për kryetar”, thotë Biba.

Por rasti i Kavajës në 2017-ën, tregoi se pavarësisht datës së dekretuar të zgjedhjeve të pjesshme lokale më 7 maj dhe fletëve të votimit të përgatitura, apo edhe 18 qershori i zgjedhjeve parlamentare, i shtyre më 25 qershor treguan se ligjet mbeten vetëm në letër. Por a mund të përsëritet i njëjti skenar, në rast se partitë politike të opozitës dhe mazhoranca mund të gjejnë dakordësi në moment të fundit?

Për Denar Bibën, një gjë e tillë do të çonte në shtyrjen e zgjedhjeve në vjeshtë. “Pas datës 30 qershor nuk ka më periudhë zgjedhore përveçse në vjeshtë. I mbetet pastaj Presidentit, në bashkëpunim me partitë politike. Uroj që jo. KQZ është duke marrë masat për të prokuruar të gjithë infrastrukturën zgjedhore, ku ndër më kryesoret është fleta e votimit dhe në rast se ajo se do të printohet do të jetë e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur”, thotë Denar Biba.

Deri më tani, opozita jashtë parlamentare nuk ka artikuluar asnjë qëndrim që mund ta kthejë atë në ringun politik të 30 qershorit.