Aktualitet Angelo Massafra: Për situatën në Shqipëri nuk mund të fajësohet gjithmonë komunizmi

Angelo Massafra: Për situatën në Shqipëri nuk mund të fajësohet gjithmonë komunizmi

Në një kohë kur opozita dhe qeveria akuzojnë njëra-tjetrën për akte të dhunshme në protestat e fundit, arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra gjatë meshës së shenjtë për Pashkën i bëri thirrje gjithë shoqërisë dhe politikës që të shmanget dhuna dhe kushdo të marrë përgjegjësitë e veta.

Massafra:Ne kemi shumë nevojë për paqe dhe dashuri, nuk kemi nevojë për dhunë. Boll sa dhunë keni pësuar në kohën në komunizmit, boll sa dhunë pësojnë shumë njerëz në mbarë botën”.

Arqipeshkvi monsinjor Massafra duke predikuar para besimtarëve i dha mesazhin e qartë të gjitha palëve politike se për situatën në Shqipëri nuk mund të fajësohet gjithmonë komunizmi.

Massafra: “Të gjithë shqiptarët të bëhen më humanë. Nuk mund të fajësojmë gjithmonë komunizmin. Sot na bën jo human pangopësia, padrejtësia, korrupsioni, dëshira për t’u pasuruar menjëherë. Nuk është ky zhvillimi”.

Arqipeshkvi tha se asgjë nuk është e pamundur dhe fenomenet negative si droga, korrupsioni dhe të tjera me ndihmën e Zotit mund të eliminohen.

“Shqiptarët mund t’ia dalin, – tha monsinjor Massafra, – por jo në mënyrë të menjëhershme, por me djersë dhe sakrificë hap pas hapi”.

Në meshën e shenjtë të Pashkës në katedralen “Shën Shtjefni” ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm besimtarësh të cilët morën mesazhet e drejtpërdrejta të arqipeshkvit Massafra.