Sport Anglia kthehet në Wembley-n e vet, shkatërron Ukrainën

Anglia kthehet në Wembley-n e vet, shkatërron Ukrainën

Nuk ka surpriza në “Olimpico”, me Anglinë që triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Ukrainës dhe mori biletën e fundit të mbetur për në fazën gjysmëfinale të Kampionatit Europian.

Prapavija ishte reparti më i spikatur i skuadrës angleze deri tani dhe u konfirmua edhe ndaj ukrainasve, pasi nuk ka pësuar ende asnjë gol në Europian, ndërsa trajneri Gary Southgate “fërkon duart” për rikthimin te goli të kapitenit Kane, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës.

“Tre Luanët” zhbllokuan sfidën që në minutën e katërt me anë të kapitenit Harry Kane, që shndërroi në gol një pasim të yllit të Manchester City-y, Raheem Sterling.

Pjesa e dytë nisi mjaft vrullshëm për Anglinë, që shënoi dy herë në harkun e 5 minutave, me Maguire në minutën e 46′ dhe Kane në të 50-ën, të dy pas krosimeve të sakta të mbrojtësit Luke Shaw, teksa me avantazhin e tre golave, trajneri Southgate nisi të mendojë për të çlodhur titullarët.

Megjithatë edhe futbollistët e ardhur nga stoli nuk stonuan, pasi Jordan Henderson shënoi vetëm 6 minuta pas aktivizimit, duke gjetur kështu golin e katërt për Anglinë dhe të parin personal me fanellën e përfaqësueses.

Minutat e mbetura nuk prodhuan ndryshim të rezultatit dhe Anglia kompletoi katërshen gjysmëfinaliste bashkë me Spanjën, Italinë e Danimarkën, ndërsa Ukraina mbyll në fazën çerekfinale aventurën e saj në Euro 2020, një arritje mjaft e rëndësishme kjo për ta.

Tashmë Anglia rikthehet sërish në shtëpi, pasi të mërkurën e 7 korrikut do të përballet me Danimarkën në gjysmëfinale, me misionin për të siguruar kalimin në finale e më pas për të mbajtur po në Londër trofeun e Kampionatit Europian.