Kryesore Ankesat e familjarëve të pacientëve me COVID, Meta: Të trajtohen me dinjitet

Ankesat e familjarëve të pacientëve me COVID, Meta: Të trajtohen me dinjitet

Disa nga familjarët dhe të afërmit e të infektuarve me COVID-19 që po trajtohen në Spitalin infektiv në Tiranë, kanë pretenduar për mungesë informacioni për gjendje shëndetësore të të dashurve të tyre.

Për t’i qetësuar ka dalë mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i cili ndërsa mbante një letër dhe stilolaps në duar, u ka bërë të ditur të afërmve gjendjen shëndetësore të të prekurve me COVID-19.

Lidhur me krijimin e kësaj situate ka reaguar dhe Presidenti, Ilir Meta duke kërkuar që familjarët e pacientëve me koronavirus të trajtohen me dinjitet dhe të informohen mbi gjendjen shëndetësore ku ndodhen.

“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë. Pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm”, shprehet Presidenti.