Aktualitet Anti-informaliteti/ Rama: Shumë para që duhet t’u kthehen njerëzve përfundojnë tek një...

Anti-informaliteti/ Rama: Shumë para që duhet t’u kthehen njerëzve përfundojnë tek një grusht të pasurish

Gjatë një vizite në Lezhë, ku ka prezantuar para banorëve buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Rama ka rikonfirmuar drejtimin e reformës financiare të ndërmarrë nga kabineti i tij.

Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se të gjitha bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së, ndërsa ka shtuar se në luftën kundër informalitetit do të merren masa ndaj evazionit të kompanive të mëdha, që sipas tij shfrytëzojnë ato të vogla.

“Kemi nisur operacionin për ta çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ajo çka nuk është normale është se beteja kundër reformës nga opozita bëhet me argumente katastrofike. Do mbyllen kaq biznese në ditë, do bëhet hataja, etj. Njësoj siç bëhej kur do zbatohej reforma në arsimin e lartë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se qeveria do ta çojë reformën kundër informalitetit përpara, për të garantuar më shumë të ardhura për njerëzit, për më shumë shërbime, etj. “Sepse shumë para që duhet t’u kthehen njerëzve përfundojnë tek një grusht të pasurish”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se, biznesi i vogël e ka taksën zero deri në një kufi të caktuar, ndërsa ka shtuar se, tatimi mbi të ardhurat personale në shtet dhe privat nuk do të ndryshojnë.

Më tej Rama ka premtuar se këtë mandat qeverisës do të realizohet plotësimi i segmentit Milot-Lezhë dhe do të nisë puna për rrugën lidhëse Shëngjin-Velipojë, e rëndësishme për turizmin.

“Sot jemi me rritjen ekonomike 4 për qind, por që të ndihet tek familjet duhet të arrijë në 5 për qind dhe ne jemi të sigurt se deri në vitin e fundit të mandatit do ta arrijmë përmes investimeve”, ka thënë Rama.