Aktualitet Apeli dënon Adriatik Llallën me dy vite burgim

Apeli dënon Adriatik Llallën me dy vite burgim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar përfundimisht me dy vite burgim ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Në këtë mënyrë, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Po kështu, Llalla ndalohet që për 5 vite të ushtrojë funksione publike.

Gjatë dhënies së vendimit të formës së prerë, Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm në sallë. Ai përfaqësohej nga avokati i tij. Ky i fundit ka thënë për gazetarët se Llalla është në regjim spitalor, duke mos pranuar të tregojë nëse ndodhet në Shqipëri apo jashtë shtetit për trajtim mjekësor.

Në informacionin që kam unë është ajo që kam thënë herën e parë (që është një spital në Shqipëri). Di që është në regjim spitalor. Përgjigjem vetëm për veprimin procedural. Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit ka bërë ‘copy-paste’ se çfarë ka thënë akuza dhe nuk ka dëgjuar palën mbrojtëse. Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit nuk ka dëgjuar pretendimet tona, të dënohet për një veprim që nuk e bërë. Kemi konstatuar që nuk ka asnjë problem administrativ nga klienti që unë mbroj”, u shpreh avokati, duke theksuar se ky vendim do të dërgohet për rekurs në Gjykatë të Lartë.

Sipas vendimit të Apelit, ish-kryeprokurori do të duhet të arrestohet dhe të dërgohet në qeli për të vuajtur dënimin me dy vite burgim. Nëse nuk gjendet në banesën e tij, pasi Llalla po gjykohej në gjendje të lirë, atëherë do të shpallet në kërkim.

Adriatik Llalla akuzohet për fshehje të pasurisë në të paktën tre episode.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.