Aktualitet Apeli i Krimeve të Rënda dënon Kelmend Balilin me 10 vjet burg

Apeli i Krimeve të Rënda dënon Kelmend Balilin me 10 vjet burg

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda sot ka marrë vendimin për Kelmend Balilin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Balili, i konsideruar “Eskobari i Ballkanit” përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe u dënua me 10 vite burg.

Ai akuzohet për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash. Në momentin e marrjes së vendimit, Balili nuk ishte prezent.

Prokuroria kishte kërkuar 18 vite, gjykata vendosi 15, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.

Balili prej 15 janarit 2019 qëndron në qeli pas vetëdorëzimit në Policinë e Shtetit aty ku kushti i tij i vetëm ishte të gjykohej nga drejtësia shqiptare duke shmangur në këtë mënyrë ekstradimin. Nga media greke Balili u cilësua si “Escobari” Ballkanit ndërsa rasti i kapjes së drogës si pjesë e këtij trafiku i përket afro 700 kg të kapur në ishullin Zakynthos në vitin 2017.

Për Balilin u përfshi në hetime edhe zyra e DEA-s në Athinë ndërsa prej më shumë se dy vitesh ai qëndroi në arrati duke bërë që 4 operacione policie për arrestimin e tij të dështonin.

Balili do të vuajë dënimin në një prej burgjeve të sigurisë së lartë.