Bota Apeli i pazakontë/ Edhe SHBA kërkon ndihmë për të luftuar koronavirusin

Apeli i pazakontë/ Edhe SHBA kërkon ndihmë për të luftuar koronavirusin

Departamenti Amerikan i Shtetit po udhëzon diplomatët e tij që të nxisin qeveritë dhe bizneset në Evropën Lindore dhe Euroazi për të rritur eksportet dhe prodhimin e pajisjeve mjekësore për shpëtimin e jetës dhe mjeteve mbrojtëse për Shtetet e Bashkuara, pjesë e një fushate diplomatike të dëshpëruar për të plotësuar mangësi të mëdha në sistemi mjekësor amerikan, ndërsa numri i vdekjeve nga koronavirusi është në rritje.

Apeli vjen në një kohë kur vetë qeveritë e Europës po përballen me një nga pandemitë më të këqija që është përhapur ndonjëherë në të gjithë globin që nga koha e gripit spanjoll të vitit 1918. Kjo përfaqëson një kthesë të fortë për Shtetet e Bashkuara, e cila tradicionalisht ka marrë drejtimin në përpjekjet për të ndihmuar vendet e tjera më pak të zhvilluara të luftojnë me fatkeqësi të mëdha humanitare dhe epidemi.

Kërkesa gjithashtu mund të hedhë poshtë pretendimet e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka insistuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara mund t’i plotësojnë vetë kërkesat për teste dhe pajisje mjekësore, duke mos pranuar të zbatojnë plotësisht Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të mandatuar që kompanitë amerikane të prodhojnë këto produkte. “Ne kemi shumë kompani që bëjnë shumë produkte – çdo produkt që përmendët, plus ventilatorë dhe gjithçka tjetër. Ne kemi kompani makinash — pa pasur nevojë të përdorim aktin. Nëse nuk kam nevojë ta përdor konkretisht, ne do ta përdorim aktin në rast se na duhet. Por ne kemi kaq shumë gjëra që po bëhen tani — ato thjesht janë rritur”, tha Trump në një konferencë për shtyp në 21 mars.

Kina, ndërkohë, por i jep një tjetër rifreskim imazhit të saj në botë, duke dërguar mjekët e saj dhe dhjetëra mijëra pajisje mjekësore jashtë vendit në vendet e goditura më së shumti nga koronavirusi, pasi e ka luftuar me sukses epideminë brenda saj.

Diplomati i rangut të tretë të Trump, David Hale, u ka kërkuar të gjitha zyrave të raportojnë se cilat vende të huaja do të ishin në gjendje të shesin “furnizime dhe pajisje kritike mjekësore” në Shtetet e Bashkuara, sipas një emaili të brendshëm të Departamentit të Shtetit dërguar zyrtarëve në ambasada në të gjithë Evropën dhe Euroazinë në 22 mars, raporton “Foreign Policy”, e cila e disponon këtë email.

“Në varësi të nevojave kritike, Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë të blejnë shumë prej këtyre artikujve në qindra miliona me blerje të pajisjeve të nivelit më të lartë të tilla si ventilatorët në qindra mijëra”, thuhet në email. Emaili thekson se kërkesa vlen për vendet pritëse “minus Moskën”, që tregon se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i bëjnë thirrje Rusisë për mbështetje.

E-maili nënvizon ashpërsinë e krizës shëndetësore të koronavirusit gjithnjë e në rritje në Shtetet e Bashkuara, pasi zyrtarët e ShBA-së kërkojnë një skenar të rastit më të keq bazuar në atë se si pandemia ka shkatërruar sistemet e mbingarkuara të kujdesit shëndetësor në vende si Kina dhe Italia. Emaili hedh dritë në rolin e Departamentit të Shtetit në prapaskenë për t’iu përgjigjur krizës, ndërsa përpiqet të evakuojë qytetarët e ShBA-së të bllokuarpër shkak të kufizimeve ndërkombëtare të udhëtimit.

Disa burime diplomatike që kanë dijeni për çështjen thonë se kjo direktivë e re reflekton një përmbysje të ashpër në sjelljen tradicionale të politikës së jashtme amerikane, pasi Departamenti i Shtetit tani po bën thirrje për ndihmë nga vendet, përfshirë ato të cilave vetë Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë ndihmë të huaj jetësore për vite me radhë. E-maili vjen nga një zyrtar në Zyrën e Ndihmës së ShBA për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore – një zyrë që në rrethana normale koordinon dhënien e ndihmës dhe ndihmës amerikane për vendet në Evropë dhe Euroazi, dhe jo anasjelltas. /Foreign Policy