Aktualitet Apelohet vendimi i KPK, anëtari i KLP sërish nën sitën e Vetting

Apelohet vendimi i KPK, anëtari i KLP sërish nën sitën e Vetting

Besnik Cani, i cili ka mbajtur detyrën e Prokurorit të Elbasanit, është një prej anëtarëve të institucionit më të ri të organit të akuzës, Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por përzgjedhja si anëtar i KLP, nuk do të thotë përfundim i procesit të vettingut.

ONM, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ka apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rikërkuar rivlerësim të figurës së Besnik Cani si Prokuror.

Institucionit të Komisionerëve Publikë ka pranuar kërkesë e ONM duke çuar, tashmë anëtarin Këshillit të Lartë të Prokurorisë nën sitën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila do të vendosë nëse Besnik Cani do të vijojë detyrën e tij, apo do të largohet përgjithmonë nga organi i akuzës.

Deklarata e Institucionit të Komisionerëve Publikë
Në datë 27.11.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Në datë 25.1.2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 84, datë 27.11.2019, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në të njëjtën datë, 25.1.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.