Kryesore Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK, tri akuzat e ngritura

Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK, tri akuzat e ngritura

Prokuroria e Posaçme po e heton ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetajn për 3 akuza.

Sipas të dhënave, Ahmetaj po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Prokuroria e Posaçme po heton rolin e ish-ministrit Arben Ahmetaj në dy procedime që tashmë janë bashkuar. Procedimi i parë për rolin si ministër në inceneratorin e Elbasanit dhe i dyti i regjistruar për akuzat e pastrimit te parave, në bazë të një kallëzimi të bërë.

Kujtojmë se në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjetueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Sipas procesverbalit u sekuestruan projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre.

Prokuroria e Posaçme për çështjen e inceneratorëve është duke verifikuar edhe rolin e tri ministrive të tjera.

Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas prokurorit Altin Dumani, rezultatet e ekspertizës së laptopit i janë vënë në dispozicion SPAK që në nëntor 2022.

Ndërkohë, Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha iu drejtuan Gjykatës së Posaçme të Apelit me kërkesë për të shpallur si antikushtetues vendimin për kontrollin e ushtruar në banesën ku ata jetojnë. I jashtëligjshëm, sipas avokatëve të Ahmetajt, ishte edhe procedura e kontrollit të banesës dhe ajo e kontrollit personal ndaj Erjola Hoxhës. Argumenti kryesor i antikushtetueshmërisë, sipas avokatëve ishte nevoja për një autorizim nga Kuvendi, pasi Ahmetaj është deputet.