Sport Arben Dervishaj: Pse do ia shesim emrin “Arenës Kombëtare”

Arben Dervishaj: Pse do ia shesim emrin “Arenës Kombëtare”

Stadiumi “Arena Kombëtare” është në hapat e fundit të ndërtimit të tij, dhe inaugurimi pritet të vijë në muajin nëntor ndaj Francës.

Në lidhje me ecurinë e punimeve dhe mbi detaje të tjera, ka folur Arben Dervishaj për Fax News, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, si edhe i ngarkuari për të monitoruar ecurinë e punimeve në stadium.

A do të jetë stadium gati për ndeshjen me Francën?

Është plotësisht e mundshme që ndeshjet me Francën dhe me Andorrën të luhen në këtë stadium.

Pse u shty inaugurimi, pasi presidenti Duka tha se inaugurimi do të bëhej në Qershor dhe më tej një datë tjetër që ishte shtatori?

Ka pasur disa punime, stadiumi tashmë është gati.

A është zbatuar 100 projekti që u paraqit në fillim?

Po, vështirësia më e madhe ka qenë harmonizimi i stadiumit me shërbimet e tjera, pa i prishur punë njëra-tjetrës.

Punimet po mbikëqyren nga UEFA?

UEFA ka bërë gjithnjë kontrollet e veta, por dhe ne e kemi informuar mbi të gjithë ecurinë, kontrolli i fundit do të bëhet në fundin e shtatorit, dhe inaugurimi mund të kryhet në fillim të muajin Nëntor. Brenda ditës së enjte do të jetë përfunduar dhe fusha, pasi ambientet e tjera kërkojnë vetëm ndërhyrje të vogla.

Sa është kostoja e deritanishme e stadiumit?

Ne nuk jemi interesuar shumë për koston, pasi formula ka qenë e tillë, ne i kemi dhënë 10 milionë euro koncensionarit, dhe pjesa tjetër do të paguhet nga ana e kompanisë. Deri më tani ka pasur një kosto prej 70 milionë eurosh, po që mbulohet nga pjesa e vlerës së tokës që FSHF i ka dhënë kompanisë.

Dervishi ka folur dhe për ndërrimin e emrit të stadiumit, që sipas tij është e domosdoshme, pasi mirëmbajtja e tij kërkon të ardhura shtesë, që shteti shqiptar nuk është në gjendje që t’i paguajë. Për këtë tha Dervishi, është parë e udhës që stadium të ketë emrin e një kompanie private, e cila do ti kalojë FSHF-së fillimisht një fond prej 600 mijë eurosh.

“Kjo ndërmarrje do të nxjerrë të ardhura, që nga menaxhimi, dhe deri te donatori i emrit. Ky i fundit do të ketë detyrimin që të mirëmbajë stadiumin, për shkak se shteti nuk ka dhënë asnjë para për këtë. Ka 2 3 kompani në fushën e naftës dhe të telekomunikacionit që kanë qenë të interesuara për ti vënë emrin stadiumit, dhe shifra fillestare që ata do të duhet të japin është 600 mijë euro. Emrin e japim se duam që të krijojmë të ardhura”, u shpreh Dervishi.

Më tej ai foli dhe për ambientet bashkëkohore të stadiumit, që do ta bëjnë Arenën një prej fushave më me standard dhe që mund të ndërpresë dhe ndeshje të Superkupës së Europës.

“Të gjitha tribunat do të jenë të mbrojtura nga dielli dhe nga shiu, jemi kujdesur që streha të jetë 4 metra. Në tribunën VIP do të ketë 1400 vende, ka pasur debate, se është kërkuar që të ishte dhe më e madhe, po duhet thënë se dhe në tribunat e tjera kushtet janë shumë të mira. Kapaciteti i spektatorëve është 21 777, u zvogëlua diçka pasi rritëm pak distancën mes spektatorëve”, tha përfaqësuesi i FSHF-së.