Aktualitet Arbër Çekaj ekstradohet nga Gjermania në Shqipëri

Arbër Çekaj ekstradohet nga Gjermania në Shqipëri

Arbër Çekaj, i akuzuar për sasinë rekord të 613 kilogramëve kokainë, është ekstraduar sot nga Gjermania në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, gjatë një deklarate për mediat nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Po sot nga Interpol Tirana është duke u kryer ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri i Arbër Çekaj”, ka deklaruar Aida Hajnaj.

I akuzuar për 613 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit në Shkurt të vitit 2018, Çekaj është arrestuar në Gjermani disa muaj më parë dhe sot po kryehet ekstradimi i tij në vendin tonë, për t’u përballur me akuzat.

Një gjykatë në Gjermani kishte miratuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për të ekstraduar Arbër Çekajn.

613 kg kokainë që u kapën në Portin e Durrësit, ishin fshehur brenda një kontenieri me banane të ardhura nga Kolumbia. Porosia ishte kryer nga kompania e Arbër Çekajt. Për këtë çështje po hetohen edhe dy vartësit e Çekajt, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku.