Aktualitet Arbër Çekaj vendoset në regjimin e qelive të “egra”

Arbër Çekaj vendoset në regjimin e qelive të “egra”

Arbër Çekaj është vendosur në regjim të posaçëm në burg “41 bis” me vendim të Ministrisë së Drejtësisë.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Çekaj akuzohet për trafikimin e sasisë rekord të kokainës prej 613 kg që u bllokua në Portin e Durrësit në 2018.

Një ditë më parë në regjimin “41 bis” u vendosën tre të burgosur të tjerë, Redjan Rrahja, Fatmir Pjetri dhe Aleksandër Llanaj.

Rrahja akuzohet për atentat ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë Andi Maloku.

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ që akuzohet për disa grabitje kurse Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në vitin 2015 në Vlorë.

Bashkë me Arbër Çekajn, numri i të dënuarve që vendosen në regjimin “41 bis” shkon në 8 persona.

Masa e posaçme ndaj të burgosurve dhe paraburgosurve është marrë nga ligji i famshëm italian i vitit 1975 që njihet ndryshe si “regjimi i fortë i burgut”. Në Shqipëri zbatimi i kësaj masa ka nisur në gusht 2020 dhe regjimi mund të zgjasë deri në 1 vit.

Regjimi i posaçëm ka për qëllim parandalimin e krimeve si shmangien e kontakteve të këtyre të dënuarve me organizata kriminale.

Gjatë këtij regjimi lejohet vetëm takimi me familjarët e ngushtë, kufizohet kryerja e telefonatave me jashtë, reduktohet qëndrimi në ajrim.