Kryesore Argumenti i një eksperti: Pse Rusia nuk mund ta sulmojë Ukrainën

Argumenti i një eksperti: Pse Rusia nuk mund ta sulmojë Ukrainën

Nga Jeff Hawn – Foreign Policy

Gjatë javëve të fundit, në mediat perëndimore ka pasur diskutime të shtuara rreth lëvizjeve ushtarake ruse në rajonin e saj jugor. Njësi të shumta ushtarake, përfshirë batalionet e tankeve, thuhet se janë dislokuar në rajonet afër Ukrainës, ndërsa Perëndimi është aq i alarmuar, saqë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken,e paralajmëroi Rusinë më 10 nëntor që të mos guxojë të ndërmarrë çfarëdolloj agresioni të ri kundër Ukrainës.

Por a është në fakt Rusia gati ta sulmojë Ukrainën? Përgjigja, e bazuar në provat faktike, duket të jetë një “jo” e fortë. Lëvizjet ushtarake të kohëve të fundit mund të jenë vërtet shqetësuese, sidomos duke pasur parasysh historinë e Rusisë në Ukrainë, por ato nuk parashikojnë një luftë të afërt.

Para së gjithash, Rusia nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta fshehur lëvizjen e këtyre forcave. Imazhet satelitore, tregojnë disa njësi ushtarake të vendosura në parkingje automjetesh dhe në kampe pa asnjë kamuflim apo fshehje. Një ofensivë e vërtetë, do të kërkonte shumë më tepër kujdes, dhe do të kishte shenja të tjera paralajmëruese, siç janë për shembull sistemet e shtuara të mbrojtjes ajrore, apo edhe aktivizimi i njësive rezervë.

Rusia i ka përqendruar vërtet që nga muaji prill trupat e saj në provincat jugore. Por ritmi i ngadaltë i dislokimit, duket se tregon një zhvendosje të përgjithshme të forcave ruse në rajonet e saj ushtarake perëndimore dhe jugore. Ky dislokimi mund të shihet më shumë si një ndryshim shumë më i madh në vendosjen e përgjithshme strategjike të ushtrisë ruse, sesa një grumbullim i papritur në funksion të një sulmi të ri të afërt.

Sigurisht, Rusia mund ta ketë parë pjesërisht këtë dislokim edhe si një shfaqje force ndaj Perëndimit, pikërisht gjatë një periudhe të tensioneve të shtuara. Si stërvitjet e fundit ushtarake në Detin e Zi që u zhvilluan verën e këtij viti nga marina amerikane dhe disa vende aleate të saj, po ashtu edhe kriza gjithnjë e më e tensionuar kufitare e Bjellorusisë, e bëjnë të pasigurt periudhën aktuale.

E megjithatë, një pushtim i ri i Ukrainës, apo edhe një përshkallëzim drastik i armiqësive nga forcat e mbështetura nga Rusia, është një perspektivë relativisht e pamundur për disa arsye.

Së pari, ushtria ukrainase është sot më me përvojë, më e modernizuar dhe shumë e motivuar. Ndaj, çdo lloj lufte përveçse do të ishte shumë e kushtueshme sa i përket trupave dhe materialeve, do të kishte edhe një shans të madh për të shkaktuar luftëra të tjera në rajon, dhe për më tepër,do të kishte një shans të tmerrshëm për t’u bërë një luftë bërthamore.

Edhe nëse Rusia do të arrinte ta pushtonte gjithë Ukrainën, çfarë do të përfitonte prej saj? Siç e zbuluan Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Afganistan, fushata të tilla janë të kushtueshme, të rrezikshme dhe shpesh të pafrytshme. Pushtimet aktuale të Rusisë në Osetinë e Jugut, Abkhazi dhe Krimenë janë të kushtueshme, por ato mund të mbahen pasi aty ka një pjesë të popullsisë lokale që e mirëpret Rusinë.

Kjo sjellje është një nënprodukt i trashëgimive të ndërlikuara kulturore të shteteve post-sovjetike. Por një dinamikë e tillë nuk ekziston në Ukrainën Perëndimore, e cila e ka bërë shumë të qartë preferencën e saj për Perëndimin. Në këto kushte, një luftë e re kundër Ukrainës, do të ishte vetëm në dëmin e Rusisë, dhe do të kërkonte përdorimin e shumë burimeve, që Rusia nuk ka luksin t`i përballojë.

Një sulm i tillë do të armiqësonte përgjithmonë Rusinë me Evropën, dhe do ta bënte gati të pamundur çdo lëvizje për lehtësimin e sanksioneve. Rusia nuk ka absolutisht asgjë për të fituar nga pushtimi i Ukrainës, përkundrazi ka shumë për të humbur.

Natyrisht, Rusia ka një histori të kohëve të fundit të pushtimit të fqinjëve të saj, nga Gjeorgjia në vitin 2008, deri tek Ukraina në vitin 2014. Por, këto pushtime nuk ishin as revanshizëm apo ekspansionizëm. Në vitin 2008, presidenti i atëhershëm gjeorgjian Mikheil Saakashvili e keqkuptoi mbështetjen që po merrte nga Perëndimi, duke e përshkallëzuar në mënyrë dramatike konfliktin e gjatë mbi rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë të Gjeorgjisë.

Rusia, që kishte tashmë paqeruajtës atje, ndërhyri dhe e dëboi Gjeorgjinë nga rajonet e kontestuara, dhe pushtoi disa qytete strategjike përtej tyre. Por trupat ruse nuk vazhduan përparimin drejt Tbilisit dhe as u përpoqën që ta pushtonin të gjithë Gjeorgjinë, një vend shumë më i vogël sesa Ukraina si për nga territori po ashtu edhe për nga numri i popullsisë.

Në fakt, pas armëpushimit në rajonet e shkëputura trupat ruse u tërhoqën. Dhe aty ku kanë mbetur, janë kryesisht me pëlqimin e qeverive separatiste. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 ishte një shembull i një arrogance të tepruar por edhe një llogaritje e gabuar.

Gjithsesi, nga këndvështrimi i Rusisë ai akt ishte një përpjekje për të siguruar një aset strategjik jetik kundër një regjimi pro-perëndimor, që do të merrte së shpejti pushtetin në Kiev, ku sipas Moskës Uashingtoni po krijonte komplotet e veta.

Aneksimi ishte një lëvizje e prodhuar nga llogaritjet e gabuara, pasi shkaktoi një reagim global të fortë, dhe e ka lënë Rusinë në një pozitë të pafavorshme. Aneksimi nuk u krye përmes një sulmi konvencional, por me një dislokim të rrufeshëm të njësive ushtarake pa simbolet e ushtrisë ruse, të cilat në përgjithësi morën kontrollin e gadishullit duke hasur në një rezistencë minimale.

Rajonet e shkëputura të Ukrainës në Donbas, përjetuan përleshje të forta midis trupave ruse dhe atyre ukrainase, por sërish ato ishin të kufizuara. Konflikti në Donbass u përqendrua kryesisht në stabilizimin e vijës së frontit, dhe jo përshkallëzimin në një lëvizje në shkallës të plotë drejt Kievit.

Ashtu si me dislokimet e saj në Gjeorgji, Rusia ishte e kujdesshme të mos e tepronte, dhe vetë Ukraina ishte e kujdesshme të mos provokonte ndonjë incident, duke u përmbajtur nga shënjestrimi i objektivave në territorin rus. Nuk ka ndryshuar asgjë, që do ta bënte më joshëse pushtimin e hapur të Ukrainës.

Rusia është zakonisht agresive në atë që e quan “lagjja” e saj, pranë thelb republikat e dikurshme sovjetike. Por ajo sillet ende me përmbajtje, duke ndërmarrë ato që Moska i sheh si lëvizje të llogaritura mirë për të ruajtur sferën e saj të ndikimit.

Asnjëra nga këto nuk do të thotë se veprimet e saj janë moralisht të justifikuara apo të vlefshme sipas ligjit ndërkombëtar. Sidomos aneksimi i Krimesë, ishte një shpërfillje e hapur e normave të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por nga pikëpamja e Kremlinit ato ishin veprime të kuptueshme, në mos të justifikueshme.

Ndoshta një ditë Rusia mund të shohë se ekzistojnë kushtet, ku një pushtim i Ukrainës do të ishte në avantazhin e saj. Por nëse ajo do ta sulmonte sot Ukrainën, do të kishte shumë për të humbur dhe thuajse asgjë për të fituar. Në këto rrethana, është shumë më i mundur një përshkallëzim i përleshjeve përgjatë vijës së frontit në Donbas, në një përpjekje për të detyruar zhvillimin e negociatave të reja.

Shënim: Jeff Hawn, kandidat për doktorant në departamentin e historisë ndërkombëtare në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.