Kulturë Arkeologët në prag të gjetjes së varrit të Kleopatrës

Arkeologët në prag të gjetjes së varrit të Kleopatrës

Arkeologët kanë zbuluar një tunel të gdhendur në shkëmb nën tempullin e lashtë të Egjiptit Taposiris Magna që ata besojnë se mund të çojë në varrin e humbur të Kleopatrës, sundimtares së fundit të Egjiptit nga epoka Ptolemeike nga viti 51 deri në 30 para Krishtit.

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve e Egjiptit njoftoi zbulimin javën e kaluar, duke e përshkruar tunelin 1300 metra të gjatë të gjetur 13 metra nën tokë si një “mrekulli gjeometrike”. Është i ngjashëm me tunelin Eupalinus nga ishulli i Samos, i cili konsiderohet një mrekulli arkitekturore e botës antike.

Gërmimi u drejtua nga arkeologia Caitlin Martinez nga Universiteti i Sao Domingos, shkruan ArtNet.

Sipas të dhënave historike, Kleopatra kreu vetëvrasje në të njëjtën kohë me burrin e saj, gjeneralin romak Mark Antony dhe besohet se ata u varrosën së bashku.

Martinez udhëtoi për në Egjipt në kërkim të varrit të mbretëreshës së lashtë njëzet vjet më parë dhe pas shumë kërkimesh beson se Taposiris Magna, një tempull pranë Aleksandrisë së sotme kushtuar Osiris, perëndisë së të vdekurve, është vendi më i mundshëm ku prehet Kleopatra.

Ajo arriti të bindte kryearkeologun e Egjiptit Zahi Hawass, ministri i atëhershëm i antikiteteve, që ta lejonte të kryente kërkime në vend për dy muaj. Megjithatë, ajo mori shumë më tepër se kaq. Puna ka vazhduar që nga viti 2004 dhe zbulimi i ri është prova më e sigurt deri më sot se Martinez është në rrugën e duhur.

“Ky është vendi i përsosur për varrin e Kleopatrës. Nëse ka një për qind mundësi që mbretëresha e fundit e Egjiptit të varroset këtu, është detyra ime ta kërkoj. Nëse e gjejmë varrin, do të jetë zbulimi më i rëndësishëm i shekulli 21. Nëse nuk e bëjmë, ne kemi gjetur tashmë gjëra të rëndësishme brenda dhe jashtë tempullit”, i tha Martinez blogut Heritage Key.

Deri më tani janë gjetur dy mumie dhe një varrezë me mumie të varrosura në stilin greko-romak përballë tempullit. Gjithashtu, u zbulua një bust i vogël që besohet se përfaqëson Kleopatrën dhe 22 monedha me imazhin e saj.