Opinione Armin Laschet dhe e tatëpjeta e CDU-së

Armin Laschet dhe e tatëpjeta e CDU-së

E tatëpjeta e Unionit CDU/CSU në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duket se nuk ka të ndalur. Por shkuarja në opozitë është një mundësi e mirë për të rinovuar partinë CDU, mendon Mikhail Bushuev.

Unioni CDU/CSU ka një mbështetje prej vetëm 19%?! Me këtë së pari duhet të mësohemi. Këto janë sondazhet e fundit të institutit Forsa. Por vetë shifra prej 19% shënon pikën më të ultë të partive të Unionit CDU/CSU në të gjithë periudhën e pasluftës – e kjo mund të ketë pasoja të mëdha psikologjike. Dy gjëra mund të konstatosh që tani: Historia e “Partisë Popullore” nuk ka përfunduar ende, por ajo gjendet në udhëkryq, që mund të jetë edhe një shans i mirë për të ardhmen e Gjermanisë.

Armin Laschet e prishi tmerrësisht fushatën zgjedhore. Ai u tregua “tepër i ngadaltë” në fushatë, tha së fundi edhe vetë ministri i Brendshëm i Renanisë Veriore- Vestfalisë, njeri i besuar i Laschetit, Herbert Reul. Por për Laschetin duhet të kemi edhe pak keqardhje. Ai është fajtori kryesor për këtë gjendje, por jo i vetmi. Fajin e ka i gjithë Unioni.

Një vakum që nuk mund të mbushet shpejt

Kjo përfshin edhe Angela Merkelin, e cila me siguri që mban një pjesë të fajit. Po, ajo ishte dhe mbetet një fenomen. Gjermania i ka punët relativisht mirë, dhe kjo është meritë e kancelares. Por Gjermania është shumë pak e përgatitur për të ardhmen – e për këtë gati askush nuk e fajëson Merkelin. Me besueshmërinë e saj personale dhe – le të themi – aftësitë e saja, kancelarja ishte në gjendje të mbulonte shumë (nëse jemi të sinqertë, tepër shumë) dështime të saj në kohën e qeverisjes 16-vjeçare. Por tani ajo po largohet dhe po lë një vakum të madh pas vete. Një vakuum, të cilin Armin Laschet apo dikush tjetër nga CDU ose CSU nuk mund ta plotësojë. Të paktën jo aq shpejt sa do të jetë e mjaftueshme për një rezultat të respektuar më 26 shtator.

CDU në veçanti ka një problem serioz. Që kur hija tepër e madhe e Merkelit po zhduket, askush nuk e ka të qartë se kush mund ta zërë këtë hapësirë. Laschet mund të bëjë ndryshime personale ashtu siç dëshiron: Jens Spahn, partneri i tij nga lufta për kryesinë e CDU-së, nuk u emërua në ekipin e tij të ardhshëm. Ai premtoi një “dekadë modernizimi” me Friedrich Merz, një njeri nga e kaluara. E gjithë kjo duket arbitrare dhe jo shumë e besueshme. Ndërsa të luash rolin e Merkelit, këtë e bën shumë më mirë Olaf Scholz, kandidati i socialdemokratëve për kancelar. E kjo ka bërë që shumë votues besnikë të CDU-së ta simpatizojnë pikërisht atë.

Tani thuhet gjithnjë e më shpesh se baza e CDU-së është aq e zhgënjyer dhe e frustruar sa që refuzojnë të vendosin edhe posterët e Armin Laschetit. Kjo të duket si sabotazh. Shumë prej tyre janë të zhgënjyer sepse kanë pritur që kreu i CSU, Markus Söder të jetë kandidati i tyre në zgjedhje. Tani presin që ai të ndikojë në përmirësimin e imazhit. Angazhimi i Söderit do t’i sillte Unionit një ose dy përqind vota më shumë. Ka dhe të tillë që thonë se ai duhet të jetë kandidati i Unionit, por koha e ndryshimeve të këtilla, ka mbaruar – apo jo? E në këto kushte Gjermania duhet të falënderojë Unionin.

Tërheqja nga pushteti

Më e mira që mund (duhet të bëjë!) Armin Laschet tani është kjo: Pas dështimit të parashikueshëm historik – e ky është çdo rezultat zgjedhor nën 30 përqind – duhet ta udhëheqë Unionin në opozitë. Dhe atë për të gjithë kohën e mandatit të ri. Unioni CDU/CSU duhet të ketë kohë për riorganizim përmbajtësor dhe ndryshim të njerëzve udhëheqës. Kjo parti duhet të punojë në qetësi kundër korrupsionit dhe problemeve të tjera. Vetëm një shef apo shefe e besueshme nuk mjafton. Kërkohen reforma në të gjithë partinë.

Armin Laschet e pëlqen këtë, siç e tha edhe kandidatja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock: Ai është “i palëkundur në kohën e erërave”. Tani ai duhet të provojë qëndrueshmërinë e tij dhe duhet ta rinovojë partinë. Kjo nuk do të jetë e mirë vetëm për të dhe partinë, por edhe për të gjithë Gjermaninë – në planin afatgjatë.