Bota Arratisja më spektakolare nga burgu “Alcatraz”, 60 vite më pas tre të...

Arratisja më spektakolare nga burgu “Alcatraz”, 60 vite më pas tre të dënuarit janë ende në kërkim

60 vite pasi 3 burra realizuan një prej arratisjeve më spektakolare nga burgu famëkeq i “Alcatraz” në Shtetet e Bashkuara, Mareshalët amerikanë kanë publikuar fotot e tyre, duke hamendësuar edhe sesi mund të duken tashmë që janë në të 90-tat.

Clarence Anglin, John Anglin dhe Frank Morris mbeten persona në kërkim që prej 11 qershorit 1962, kur arritën të dilnin nga qelitë e burgut në ishull, në zonën e San Franciskos. Ata ishin dënuar për grabitje të armatosur të një banke.

Të tre burrat e planifikuan arratisjen për më shumë se një vit, duke hapur një tunel në vrimën e ajrosjes së qelive të tyre, deri sa arritën të kalonin. Pasi arritën të kalonin rojet, plani i tyre ishte që të largoheshin nga ishulli me një varkë.

Hetimet e FBI-së dolën në përfundimin se tre të arratisurit – historia e të cilëve tregohet në filmin e vitit 1979 me Clint Eastwood, “Escape From Alcatraz” – duhet të jenë mbytur në gjirin e San Pablos aty pranë. Por për vite me radhë është spekuluar se ata mund të kenë mbijetuar dhe kanë vijuar jetën në fshehtësi. Fakti që trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë dhe denoncimi për grabitjen e një makine në San Francisko po atë natë, ka ndihmuar në mbështetjen e këtyre teorive.

Në vitin 2013, autoritetet morën një letër, të cilën pretendonte se e kishte shkruar një prej të arratisurve, John Anglin. Ai shkruante se ishte ende gjallë, me kancer dhe se kishte nevojë për ndihmë. Zyrtarisht, çështja u rihap në vitin 2018. Së fundmi, Mareshalët kanë postuar edhe fotot e tre të arratisurve, me shpresën se publiku do të ndihmojë në gjetjen e tyre, gjithmonë nëse janë ende gjallë.

Sipas përllogaritjeve, Clarence Anglin, i cili ishte dënuar me 15 vite burg për grabitjen e një banke në Alabama, duhet të jetë sot 91 vjeç. Vëllai i tij John duhet të jetë 92 vjeç. Ndërsa Morris, i cili ishte dënuar me 14 vite burg për një grabitje në Luiziana, duhet të jetë 96 vjeç.

Autoritetet besojnë se Morris ishte organizatori i arratisjes, pasi gardianët gjithmonë e kanë vlerësuar si më të zgjuarin nga të tre. Ai u njoh me vëllezërit Anglin në një burg në Atlanta dhe më pas të tre u transferuan në “Alcatraz”, i cili besohej se ishte një fortesë e pakalueshme. Nëse tre burrat ia dolën apo jo, mbetet ende një mister.