Aktualitet Arrest në burg për bosin turk të kriptomonedhave

Arrest në burg për bosin turk të kriptomonedhave

Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për turkun Faruk Ozer, të kërkuar nga autoritetet turke i cili akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat në vlerën e 2 miliardë dollarëve.

Bosi turk i kriptomonedhës Thedox do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij në Turqi.

Avokatja turke e Faruk Ozer kërkoi që klienti i saj të mos ekstradohet në Turqi. Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, avokatja ka pretenduar se Faruk Ozer i ka dëmshpërblyer një pjesë të klientëve që ishin mashtruar me kriptomonedhat.

Sa i përket shumicës së parave, avokatja tha se nuk është aq e lartë sa pretendohet në mediat turke dhe ato shqiptare.

Turku Faruk Ozer ka qëndruar në Shqipëri 4 muaj pasi u arratis nga Turqia që e kërkon për mashtrimin e mijëra qytetarëve me kriptomonedhën Thodex në vlerën e 2 miliardë dollarëve.

Turku u arrestua 2 ditë më parë në Himarë gjatë një aksioni policor, në bashkëpunim edhe me oficerë të policisë turke. Ai do të ekstradohet në Turqi dhe deri në përfundim të këtyre procedurave do të qëndrojë në qeli, sipas vendimit që dha Gjykata e Elbasanit.