Aktualitet Arrestimet e reja për mashtrim, 5 persona nën akuzë për tjetërsimin e...

Arrestimet e reja për mashtrim, 5 persona nën akuzë për tjetërsimin e pronës

Me urdhër të prokurorisë së Tiranës, policia ka ndaluar edhe dy persona të tjerë si të përfshirë në skenën mashtruese, ku i akuzuar është edhe ish kreu i komunës se Kasharit, Besnik Fuçia.

Bëhet fjalë për Teuta Shehaj dhe Miranda Dyrmishaj, kjo e fundit inxhiniere ndërtimi.

Një ditë më parë, krahas Fuçisë, u ndaluan ish i shefi Zyrës se Urbanistikes se Komunes Kashar, Jurgen Memisha dhe Stefan Çaushi, administrator dhe ortak i firmës Ina 2004.

5 të ndaluarit do të dalin nesër në gjykatë, ku prokuroria pritet të kërkojë arrest me burg vetëm për administratorin Stefan Çaushin dhe mbesën e tij, Teuta Shehaj.

Ndërsa për Besnik Fuçinë dhe dy personat e tjerë, organi i akuzës pritet të kërkojë detyrim paraqitje.

Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar edhe rolet përkatëse të tyre në këtë skemë. Sipas burimeve, Fuçia ka dërguar në ZRPP një shkresë përcjellëse ku thuhej se sipërfaqja e tokës dhe objekti duhej të regjistrohej në emër të administratorit Stefan Çaushit.

Nga hetimet rezulton se ka pasur pasaktësi në procesin e kryer nga punonjësit e ish-komunës, të cilët kanë bërë që Çaushi të shmangte ortakun e tij, Arben Petritin.

Ky i fundit është edhe kallëzuesi, i cili ka deklaruar se në skemën mashtruese kanë gisht edhe zyrtarë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.