Politika Arrestimi i Kajmakut, Balla: Ligji duhet të godasë mbi këdo

Arrestimi i Kajmakut, Balla: Ligji duhet të godasë mbi këdo

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e quajti zhvillim pozitiv arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i cili u ndalua në Itali me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

“Sa herë që ligji funksionon mbi këdo, PS përshëndet veprimet e organeve të policisë dhe drejtësisë. Ky është qëndrim i qartë i yni dhe nuk bën dallim për askënd. Edhe në këtë rast, ligji duhet të godasë mbi këdo”, tha Balla në një deklaratë për mediat.

I pyetur nëse PS mund të ngrejë filtra më të fortë, për të mos lejuar persona me probleme me ligjin që të jenë brenda radhëve të saj, Balla u përgjigj: “Ai nuk është më prej vitesh në asnjë lloj funksioni në PS. Është humbje kohe të diskutojmë për këtë çështje”.

Sipas mediave italiane, arrestimi i Kajmakut është bërë në datën 26 maj në zonën e San Benedetos së bashku me nipin e tij, pasi janë kapur duke transportuar 20 kg kokainë. Nga raportimet mësohet se lënda narkotike ishte fshehur brenda disa vazo bimësh, por që është pikasur nga pronari i fidanishtes, i cili ka sinjalizuar policinë.  Pas një vëzhgimi disa mujor nga policia u bë I mundur arrestimi i tyre. Sasia e drogës, nëse do të hidhej në treg, do të kapte vlerën e 1 milionë eurove.

Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës, që mori në 30 Qershor 2019 pasi nuk kishte deklaruar një procedim penal në Greqi. Ai u arrestua në 2020-ën në një spital, pasi vuante nga probleme shëndetësore. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për ish-numrin 1 të Bashkisë së Vorës, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.