Kryesore Arrestimi i Lefter Kokës, Basha: Nuk është peshku i madh. Paratë e...

Arrestimi i Lefter Kokës, Basha: Nuk është peshku i madh. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se arrestimi i Lefter Kokës me urdhër të SPAK, i akuzuar për disa vepra penale për lejet e dhëna për ndërtimin e impianteve për trajtimin e mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan, provon që akuzat e opozitës ndaj tij janë të vërteta.

“Në shkurt 2018, nisëm procesin e denoncimeve për mbi 480 milionë euro që u janë zhvatur shqiptarëve. Arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta, denoncimet tona të bazuara”, tha Basha.

Ai shtoi se SPAK tani duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere. “Nuk ka qytetar që ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë që 17 vendime qeverie në një ditë nuk i nxirrte dot një ministër. Emrat kryesorë janë të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt, Klodian Mërtirit, etj. Ndaj sa kohë nuk ka vendim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë, për këtë aferë të tmerrshme korruptive. Nuk mund të themi se sot është ditë triumfi për drejtësinë. Ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa i dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës?”.

Basha tha se arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit dëshmon vlerën e komisionit hetimor për inceneratorët dhe këmbënguljen e socialistëve për mos ta ngritur atë. “Po tregohet qartë që refuzimi për t’u përgjigjur në kohë, fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit. Kjo betejë do të vazhdojë, pavarësisht vullnetit të plotë apo jo të drejtësisë. Deputetët tanë do të vijojnë betejën në komision për zbardhjen e kësaj skeme gjigante kriminale. Nxis drejtësinë, kur ka hedhur këtë hap të parë, të mos ndalet me kaq, por të shkojë menjëherë tek autorët”, tha Basha.