Kryesore Arrestohen në Tiranë shqiptarë dhe kamerunas, si u zhvatën 4 milionë euro...

Arrestohen në Tiranë shqiptarë dhe kamerunas, si u zhvatën 4 milionë euro nga llogaritë bankare

Njësia e Krimit Kompjuterik në Policinë e Shtetit, Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Tiranës kanë goditur një grup kriminal dhe kanë zbuluar një skemë mashtrimi që vidhte paratë nga llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme.

Për herë të parë në Shqipëri është zhvilluar një operacion i tillë i koduar “Phishing”. Katër persona, dy shqiptarë dhe dy të huaj (shtetas nga Kameruni) janë arrestuar nga policia. Ndërsa 8 persona të tjerë, të gjithë të huaj, janë shpallur në kërkim. Në këtë skemë mashtrimi ishin të përfshirë kryesisht shtetas nga Kameruni, disa prej të cilëve banues në Tiranë me dokumentacion të falsifikuar. Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur në vitin 2020 për veprën penale mashtrim kompjuterik.

Shqiptarët e arrestuar janë Fatbardh Danja 40 vjeç dhe Xhentil Kupe 54 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ndërsa kamerunasit e vënë në pranga janë Donald Anu 34 vjeç alias Ugochukëu Emmanuel Emereibenu  39 vjeç, shtetas i Nigerisë dhe Marie Goufan 31 vjeçe, nga Kameruni por banuese në Tiranë.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë shtetasja H. M., nga Kameruni, banuese në Tiranë.

Ky grup kriminal dyshohet se e ka ushtruar këtë skemë mashtrimi për të paktën 2 vite dhe kanë përfituar rreth 4 milionë Euro. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit të pagesës nëpërmjet postës elektronike për mashtrimin e shtetasve nëpërmjet krijimit të subjekteve tregtare fiktive, duke ridrejtuar transaksionet bankare të subjekteve tregtare.

Kjo skemë quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”, pasi këta persona së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme.

Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Që kjo skemë të funksiononte, këta shtetas kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Subjektet tregtare fiktive dhe të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që më pas në emër të tyre janë hapur numra llogarish bankare janë:

1- CONNECTA INTERCONTINENTAL SHPK

2- WORLDWIDE GO LTD

3- WORLDWIDE TRADING LIMITED

4- AFRICAN-ALBANIAN COMERCE

5- KWOK TANG SHPK

6- KRACO LIMITED SHPK

7-  MICHAEL ODYLON LAGMON ROMERO SHPK

8- PILATUS AIRCRAFT LTD SHPK

9- TANG KWOK YUE SHPK

10- LEKLIFARM GLOBAL sh.p.k

11- MAIBOM GBMH

1- HORTIFEEDS

13- TEST FUCHS GBMH

14- GS ECOMETAL CO LTD

15- ECI PHARMACEUTICALS LLC

16- AGNES KATBETH KREIMER

17-  XHENTIL KUPE

Deri tani janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi nga vende të ndryshme të botës dhe më saktësisht nga SHBA, Gjermania, Anglia, Turqia, Belgjika, Zvicra, Finlanda, Lituania dhe Filipinet.

Po ashtu janë evidentuar llogaritë bankare të hapura në bankat e nivelit të dytë dhe në bashkëpunim të ngushtë me këto banka janë mbajtur në kontroll transaksionet e kryera nga këta shtetas nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara prej tyre, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Vlerat monetare të evidentuara dhe të dyshuara si të ridrejtuara si pasojë e kësaj skeme kriminale janë rikthyer tek subjektet që i kanë dërguar ato duke minimizuar dëmin dhe viktimat e mundshme.

Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet kanë sekuestruar 1 automjet i markës Huyndai, 3 pajisje kompjuterike laptop, 11 telefona celularë, 20 karta SIM, 2 pajisje kompjuterike tablet, 3 vula subjektesh, 8 karta krediti/debiti, 9 karta memorie, pajisje të tjera elektronike ndihmëse, dokumente të ndryshme si vërtetime bankare, fatura bankare, fotokopje pasaportash shtetasish shqiptarë e të huaj, ftesa për leje qëndrimi, kontrata të ndryshme noteriale, prokura përfaqësimi etj.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e subjekteve të tjera tregtare fiktive të çelura në territorin e Republikës së Shqipërisë, evidentimin e të gjitha subjekteve të tjera tregtare të mashtruara nëpërmjet kësaj skeme dhe evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.