Aktualitet Arrestohen tre shqiptarë në kufi, greku që i priste u zbulua nga...

Arrestohen tre shqiptarë në kufi, greku që i priste u zbulua nga policia

Tentuan të trafikonin hashash me çanta shpine drejt shtetit grek, arrestohen në flagrancë tre të rinj shqiptarë dhe një grek. Arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “Mavromati”, nga Policia Kufitare e Qafë Botës në bashkëpunim me Policinë e Igumenicës, Greqi.

Sipas burimeve zyrtare, policia greke ka arrestuar pritësin e lëndës narkotike, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe një sasi lënde narkotike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa nga Policia Kufitare, si dhe një sasi tjetër lënde narkotike në banesën e shtetasit grek, i cili priste në kufirin jeshil lëndën narkotike nga tre shtetasit shqiptarë.

Si rezultat i operacionit u bë e mundur kapja në kufirin jeshil, në Qafë Botë, e dy shtetasve shqiptarë në tentativë për të trafikuar në greqi 3 kg Cannabis Sativa.

Po gjatë operacionit, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, identifikuan dhe kapën edhe një person tjetër si bashkëpunëtor në këtë trafik konkretisht, gjatë operacionit në tokën shqiptare u kapën dhe arrestuan shtetasit:N. Sh., 20 vjeç, banues në Shalës, Konispol; A. A., 21 vjeç, banues në Dishat, Konispol; A. S., 19 vjeç, banues në Shëndëlli, Konispol;

Në vijim të operacionit, Policia Kufitare e Qafë Botës ka mundur të marrë informacion se një shtetas grek së bashku me automjetin e tij, në afërsi të pikës kufitare greke Mavromat ishte duke pritur lëndën narkotike, që po transportohej nga dy shtetasit shqiptarë.

Menjëherë nëpërmjet pikës së kontaktit është njoftuar Policia e Igumenicës, e cila ka bërë të mundur kapjen e shtetasit grek G.M, 23 vjeç, banues në Sivota, Bashkia Igumenicë, bashkë me mjetin e tij tip Smart. Nga kontrolli i kryer në banesën e shtetasit grek, Policia greke gjeti 1.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tyre, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.