Aktualitet Arrestohet drejtori i burgut 313, akuzohet për korrupsion

Arrestohet drejtori i burgut 313, akuzohet për korrupsion

Autoritetet policore arrestuan këtë të premte drejtorin e burgut 313 në Tiranë, Eduart Struga, i cili akuzohet për korrupsion. Bashkë me të, në pranga përfunduan edhe 2 persona të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në një njoftim, sqaron se më datë 9 Mars, mbi bazën e një kallëzimi të një personi, u regjistrua procedimi penal për veprën penale korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksionet publike.

“Pas regjistrimit të procedimit penal u përdoren metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave sot më datë 4 Prill, strukturat e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E.S, me detyrë drejtor i IEVP-së Jordan Misja, Tiranë. Shtetasin F.A me detyrë Shef i Logjistikës i IEVP-së Jordan Misja, Tiranë dhe shtetasin E.K, përfaqësues i një subjekti tregtar. Shtetasit F.A iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma prej 100 mijë lekësh, objekt përfitimi të parregullt”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, funksionarët publikë të arrestuar, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash (rreth 550 mijë lekë) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregtar në ambientet e brendshme të burgut.