Kryesore Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Vlorë, i sekuestrohen 60 mijë euro

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Vlorë, i sekuestrohen 60 mijë euro

Zyrat e Kadastres Vlore dhe ish-kreu i saj, Klodian Troci

Ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci është arrestuar nga policia pasi dyshohet për shpërdorim detyre.

Trocit gjatë kontrollit në banesë nga shërbimi i policisë gjyqësore i janë gjetur 60 mijë euro. Bashkë me paratë i janë sekuestruar dhe disa prova të tjera materiale.

Ndaj Trocit është caktuar masë sigurie arrest me burg. Ai u tërhoq nga detyra disa ditë më parë pasi mbajti postin e drejtuesit në Kadastrën e Vlorës për rreth 3 muaj dhe është zëvendësuar nga Bardhyl Gjika.

Bashkë me Trocin po hetohen dhe disa zyrtarë të tjerë të Kadastrës së Vlorës pasi akuzohen se kanë pranuar dokumente të falsifikuara nga një banor i Dhërmiut, i cili gjithashtu është në hetim.

Hetimet për këtë rast nisën pasi nga Këshilli i Qarkut Vlorë i vodhën praktika dhe 33 fashikuj gjyqësor origjinalë, që i përkasin fondit arkivor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.