Ka luajtur në ekipe si Juventus, Inter, Roma dhe Parma, por mesa duket paratë e fituara në më shumë se 12 sezone në Serie A, Luigi Sartor i ka bërë…tym.
Forcat e Guardia di Finanza në Itali kanë vënë në arrest shtëpiak ish-futbollistin me akuzën e rritjes së substancave narkotike, në rastin konkret kanabis.
Gjatë një kontrolli në një godinë që teorikisht duhet të ishte e braktisur, afër qytetit të Parmës, forcat e rendit kanë gjetur ish-lojtarin dhe një bashkëpunëtor teksa kujdeseshin për mbi 100 bimë kanabis, që kishin rritur brenda godinës.
Dyshimet e para hetuesve i kishte ardhur nga sinjalizimet për kërkesën nga ana e Sartor për të dyfishuar fuqinë e energjisë elektrike në godinën zyrtarisht të boshatisur dhe pabanuar. Kontrolle të mëtejshme kishin evidentuar erë të dyshimtë dhe drita që nuk fikeshin kurrë gjatë natës, që bindi forcat e rendit të ndërhynin.
Nuk është hera e parë që Sartor, që ka veshur edhe fanellën e Kombëtares italiane, bie në rrjetën e drejtësisë. Në vitin 2011 ishte një nga të akuzuarit për skandalin e basteve, që e çoi në burg për një periudhë.