Bota Arrestohet “Konti i Zi”, pasardhësi i një Pape me një të kaluar...

Arrestohet “Konti i Zi”, pasardhësi i një Pape me një të kaluar plot mister dhe krime

I pasur, pinjoll i një prej familjeve më aristokrate italiane, pasardhës i Papa Pio II. Por kjo nuk e ka penguar Ranieri Adami Piccolominin të cilësohet nga të gjithë, në Romë, si “Konti i Zi”.

Një histori, ajo e tij, që më shumë se me madhështinë e pushtetit dhe të dhjetëra pallateve historike dhe kështjellave që mbajnë emrin e familjes së tij, i ngjan skenarit të një filmi thriller.

Konti 48 vjeçar u arrestua të enjten nga forcat e ligjit italiane pasi iu gjet një pistoletë dhe tre karikatorë në trup teksa po shëtiste në Trastevere, një nga zonat më të populluara nga jeta e natës së kryeqytetit italian.

Policia u angazhua menjëherë nga sinjalizimi i motrës së Ranierit të tmerrshëm, që denoncoi vëllain që kishte vjedhur armën e babait. Duke ditur të kaluarën e tij, policia me të drejtë u alarmua.

Në vitin 2013, në të njëjtin vend, një pensionist 75-vjeçar pothuajse humbi jetën nga plagët që Piccolomini i dha me një armë të ftohtë, një “yll” katër cepash i përdorur nga ninxhat në Japoni. Po në të njëjtat momente edhe një person tjetër ishte sulmuar nga ai, për arsye krejtësisht të panjohura. Ndoshta, thjesht për lojë.

Por e kaluara e tij është edhe më e errët. Emri i aristokratit problematik del edhe si një nga të dyshuarit në një vrasje të ndodhur në 1996 në Viterbo, qytezë afër Romës ku banonte më parë. Një i ri 22 vjeçar, Paolo Segatori, u gjet i vdekur nga plagë arme të ftohtë. Piccolomini u akuzua, madje u arrestua fillimisht, por më pas u gjykua si i pafajshëm.

Por pasioni i tij patologjik për armët, i shtojnë dyshimet mbi “Kontin e Zi”, pasardhësin e Papës Pio II, një nga papat më të rëndësishëm të kishës katolike.