Aktualitet Arrestohet “motoçiklisti” nga Lezha, akuzohet për 9 vjedhje në Durrës

Arrestohet “motoçiklisti” nga Lezha, akuzohet për 9 vjedhje në Durrës

Një 63-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit për një vjedhje të kryer një ditë më parë në këtë qytet, por pas hetimeve të mëtejshme autoritetet kanë zbuluar se ai kishte kryer edhe 8 vjedhje të tjera po në Durrës përgjatë viteve 2020 dhe 2021.

Banues në Lezhë, i arrestuar me inicialet H.GJ., rezultoi se ishte dënuar disa herë më parë për vjedhje. Policia ka dokumentuar në total 9 vjedhje për të cilat ai është i dyshuar.

Arrestimi i tij u bë në lagjen numër 5 në Durrës në datën 20 korrik, kur pasi tentoi të vjedhë një shumë parash në dyqanin e shtetasit Ll. P. u largua me motoçikletë, por u kap nga shërbimet e Policisë.

Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas, gjatë viteve 2020 dhe 2021, dyshohet se ka realizuar disa vjedhje të tjera në qytetin e Durrësit, duke përdorur të njëjtën motoçikletë, konkretisht:

Më datë 21.07.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit Sh. M.;

Më datë 12.02.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shtetasit T. Rr., një shumë parash;

Më datë 05.03.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetases F. L. dhe më pas është larguar me motoçikletë;

Më datë 24.03.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shtetases A. B., një shumë parash;

Më datë 15.04.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shtetasit B. B., disa materiale me vlerë 9.000 lekë, në dyqanin e tij;

Më datë 24.05.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shtetases G. L., një shumë parash;

Më datë 24.05.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shtetases S. B., një shumë parash;

Më datë 17.06.2021 dyshohet se nëpërmjet mashtrimit për një produkt i ka marrë shtetases E. R., një shumë parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja me anë të mashtrimit”.