Aktualitet Arrestohet në Angli Gentian Doda, korruptoi gjyqtarin Shkëlqim Miri

Arrestohet në Angli Gentian Doda, korruptoi gjyqtarin Shkëlqim Miri

Një operacion i mbajtur në sekret të plotë mes skuadrës së ekstradimeve në Londër dhe policisë shqiptare mundësoi arrestimin e Gentian Dodës.

Top-Channel ka mësuar se Doda 40 vjeç është prangosur në kryeqytetin britanik më datë 6 Maj 2019, dhe ndaj tij disa ditë më parë, ka nisur procesi i ekstradimit.

Emri Gentian Dodës doli nga disa përgjime ku ishte i përfshirë gjyqtari Shkëlqim Miri, i paguar nga Doda për ta liruar nga burgu përmes dy sekserëve njëri prej tyre kushëri i gjyqtarit Miri.

Ish gjyqtari Miri kundrejt shumës 30.000 euro, ndryshoi veprën penale nga vrasje në plagosje për Gentian Dodën duke i dhënë lirinë.

Doda ka dalë përpara gjykatës së ekstradimeve në Londër.

Një burim nga Drejtoria me Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë i tha Top-Channel se i kërkuari drejtësisë shqiptare Gentian Doda, në seancën e parë gjyqësore të ekstradimit në Londër, ka pranuar kërkesën e drejtësisë shqiptare për tu ekstraduar në Shqipëri.

Ky është një rast i paprecedentë, pasi të gjithë shqiptarët e arrestuar në Angli për qëllime ekstradimi, tentojnë ta bllokojnë atë duke e çuar çështjen deri në gjykatën e lartë britanike.

“Është thjesht çështje ditësh mbërritja e Gentian Dodës në Shqipëri nga Anglia. Interpol Tirana është duke u koordinuar me homologët anglez për sjelljen e shumë të kërkuarit me origjinë nga Burreli” u shpreh i njëjti burim.

Kjo është hera e dytë që Gentian Doda po përballet me një proces ekstradimi.

Ai në vitin 2011 do të ndalohej në momentin që po hynte në aeroportin ndërkombëtar në Los Angeles.

Nga një kontroll i shenjave të gishtave u zbulua që ai ishte i shumëkërkuari drejtësisë shqiptare, fakt që e mohoi, por nuk i shpëtoi dot ekstradimit nga SHBA drejt Shqipërisë.