Aktualitet Arrestohet shqiptari, ishte kreu i rrjetit të drogës në Selanik

Arrestohet shqiptari, ishte kreu i rrjetit të drogës në Selanik

Organet greke të Rendit kanë arrestuar në qytetin e Selanikut një shtetas shqiptar 23-vjeçar, me akuzën e depozitimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Francesko Nazifi, në shtëpinë e të cilit, të ndodhur në lagjen “Ano Poli” të qytetit, janë gjetur në cilësinë e provës materiale gjatë një operacioni policor, 6 pako me lëndë narkotike të dyshuar si hashash, me peshë prej 6.2 kg, një kallashnikov, një pistoletë, disa karikatorë, fishekë të diametrave të ndryshëm, një granatë dore, telefona celularë dhe një shumë parash.

Lëndën narkotike, i arrestuari shqiptar e kishte fshehur në një gomë rezervë.

Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Policisë, 23-vjeçari cilësohet si kreu i një grupi që merr në dorëzim, depoziton dhe shpërndan lëndët narkotike në këtë qytet.

Pasi i është bërë e njohur akuza, Nazifi është çuar në Prokurorinë e Selanikut, ndërsa hetimet për anëtarët e tjerë të rrjetit vazhdojnë.