Aktualitet Arrestohet Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit

Arrestohet Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit

Prokuroria e Posaçme ka firmosur urdhërarrest për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Pak kohë pas daljes së urdhërarrestit, Vangjush Dako u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, për ndërtimin e 3 kateve pa leje para 11 viteve.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës, dhe Lira Kërtusha, juriste pranë Urbanistikës. Po ashtu urdhërarreste janë lëshuar për; Adi Limeta, Roza Kovaçi, Edlira Kertusha, Adnand Tocila, Fiqir Farruku (ndërtues).

Vangjush Dako e drejtoi Bashkinë e Durrësit për 3 mandate deri në vitin 2019. Po në vitin 2019, Dako dhe familjarët e tij iu shtuan listës së zyrtarëve shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

DASH njoftoi asokohe se Sekretari i Shtetit e vendosi kryebashkiakun e Durrësit dhe familjarët e tij të afërt në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së Dakos në raste të mëdha korrupsioni.

Emri i Dakos është lakuar edhe në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” si i përshirë në blerjen e votave në Durrës. Edhe për këtë çështje ai u mor në pyetje asokohe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.