Kryesore Arsyeja pse Gjermania ka kaq pak viktima nga koronavirusi

Arsyeja pse Gjermania ka kaq pak viktima nga koronavirusi

Gjermania ka shtuar numrin e testimeve për COVID-19 në 500 mijë në javë, deklaroi një shkencëtar gjerman ditën e enjte.

“Arsyeja pse Gjermania ka pasur kaq pak viktima në krahasim me shifrat e rasteve të prekura mund të shpjegohet nga fakti se kemi kryer shumë diagnoza laboratorike”, tha Dr Christian Drosten nga Spitali Universitar Charite i Berlinit.

“Në Gjermani, ne bëjmë 500 mijë testime në javë”, shtoi ai.

Gjermania është goditur rëndë nga pandemia COVID-19, me 36,508 raste të konfirmuara, por me vetëm 198 viktima deri më tani, një shifër shumë më e ulët në krahasim me fqinjët e saj si Franca apo Italia.

Gjermania ka një ndër shkallët më të ulëta të vdekshmërisë nga COVID-19 me 0.5 për qind, krahasuar me Francën 5.2 për qind dhe Spanjës 7 për qind.

Hulumtuesit gjermanë planifikojnë të testojnë rregullisht mbi 100 mijë persona për të parë nëse kanë kapërcyer kontaminimin nga COVID-19 në mënyrë që të gjurmojnë përhapjen e tij.

Heyo Kroemer, drejtori i Universitetit Spitalor Charité, tha se Gjermania nisi testimet më herët sesa shtetet e tjera.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se do të investojë 500 milionë euro për të krijuar një urë lidhëse midis spitaleve dhe laboratorëve.

Ky rrjet do të përdoret gjithashtu për të analizuar të dhënat e gjithë pacientëve me COVID-19, për të krijuar një bazë të dhënash me historikun e tyre shëndetësor.