Kryesore Art dhe politikë në Berlin: Simpatia gjermane për Ramën

Art dhe politikë në Berlin: Simpatia gjermane për Ramën

Se çfarë u fol, në  takimet e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel dhe  presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble këtë nuk e mësuam dot. Ato ishin konfidenciale. Por simpatia e tyre për kryeministrin shqiptar doli në pah, kur të dy politikanët gjermanë postuan në faqen e tyre  të internetit nga një foto me dhuratën që u kishte sjellë kryeministri i Shqipërisë: Nga një kopje të librit për artin e tij,  të cilin ai do ta prezantojë të dielën, më 15.09.2019 në Berlin Art Week, së bashku me bashkautorin, artistin Anri Sala.

Në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian u fol për një libër tjetër: raportin e progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, që u publikua në fund të majit, e ku, me gjithë rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit, evidentohen një sërë sfidash që Shqipëria ka ende përpara.

Art dhe politikë. Kryeministri i Shqipërie Edi Rama me kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble, CDU

Edhe ky takim ishte me dyer të mbyllura, por sipas pjesëmarrësve, kryeministri shqiptar, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve gjermanë për sfidat që rezultojnë nga vërejtjet e progresraportit. Për shumë deputetë të CDU/CSU-së shmangja e disa prej këtyre mangësive janë kushte, për çeljen e kapitujve të negociatave. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, sidomos atij të drogës dhe realizimi i reformës zgjedhore. Ky ishte konsultimi i fundit i deputetëve në Bundestag, para se të krijonin opinionin për Shqipërinë, të cilin, sipas të gjitha gjasave do ta hedhin në votë në datën 27 shtator.

Christian Petry optimist

Për socialdemokratët dhe të gjelbrit, të cilët e kanë shprehur qysh herët qëndrimin e tyre pro çeljes së negociatave, ky dëgjim nuk solli ndonjë ndryshim në opinion. Deputeti socialdemokrat Christian Petry, i tha Deutsche Ëelles, se partia  e tij është duke finalizuar kompromisin me kristiandemokratët dhe kristiansocialët. Sipas Petryt “po shtohen gjasat që në datat 26 ose 27 shtator të votojmë për një “Po, me kushte”.

Shefi i komisionit parlamentar për çështje të BE-së, Günter Krichbaum, CDU, një nga politikanët më skeptikë deri tani për çeljen e negociatave me Shqipërinë, nuk u prononcua pas dëgjimit të Ramës në Bundestag. Por një ditë më parë, në një intervistë me DË, ai kishte deklaruar, se nuk e përjashton mundësinë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin në rrugë të ndryshme drejt BE-së.

Nga qarqet e CDU/CSU-së gjithashtu mësohet se dëshira e kancelares Angela Merkel, e cila e thekson vazhdimisht rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hyjnë së toku në procesin çeljes së negociatave. Shanset duken të mira që kancelarja kësaj radhe t’ua mbushë mendjen edhe kolegëve më skeptikë të saj që ta shohin Shqipërinë me sy më pozitiv dhe të japin “po”-në e premtuar qysh në qershorin e vitit 2018.

Anila Shuka/DW