Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku thotë se pritshmëritë e publikut kanë qenë tepër të larta për disa hetime konkrete, por shprehet se nuk ka mundur t’i realizojë plotësisht.
Duke raportuar në dëgjesën publike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në garën për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku theksoi se nuk ka qenë tërësisht faji i saj për mospërmbushjen e pritshmërive të publikut për hetime të caktuara.
“Pritshmëritë e publikut kanë qenë shumë të larta, megjithatë për shkak të kompetencave të kufizuara jam e sigurt që këtu nuk kam arritur t’i realizoj pritshmëritë. Por askush nuk është kujdesur gjatë kësaj kohe që të sqarojë se roli i Prokurorit të Përgjithshëm ka ndryshuar, dhe nuk është prokurori i plotfuqishëm që kishte në dorë hetimin, gjykimin, që kishte në dorë gjithçka, por është një prokuror më tepër me një rol simbolik për sistemin në tërësi dhe të munguar në hetimin e çështjeve konkrete. Këtu mendoj që nuk i kam realizuar pritshmëritë e publikut, por kjo nuk ka qenë as për fajin tim, as për shkak të aftësive të mia profesionale dhe as për shkak të vullnetit tim. Por ka qenë për shkak të kompetencave ekzistuese që ka Prokurori i Përgjithshëm dhe për shkak të reformës në zhvillim e sipër, sepse kam vepruar në një terren pa asnjë institucion kushtetues nga këto të rejat”, u shpreh Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku.