Kryesore Arta Vorpsi injoron Metën, betohet si anëtare e Gjykatës Kushtetuese te noterja

Arta Vorpsi injoron Metën, betohet si anëtare e Gjykatës Kushtetuese te noterja

Arta Vorpsi

Arta Vorpsi është betuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në një zyrë noterie. Lajmi konfirmohet nga vetë zonja Vorpsi si edhe burime zyrtare nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe nga vetë zyra noteriale ku është bërë betimi. Menjëherë pas betimit, Vorpsi është parë të futet në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë shkresë të firmosur prej saj, Arta Vorpsi deklaron se “në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, të emërtuar nga KED dhe të botuar në fletoren zyrtare, me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë, betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Sipas mazhorancës, procedura është rakorduar me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetet në një rekomandim të Komisionit të Venecias, që i cilëson betimet si akte të thjeshta ceremoniale.

Lëvizja vjen pasi një ditë më parë Presidenti Ilir Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse sipas Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vorpsi kaloi automatikisht në atë pozicion për shkak të pikëzimit dhe mos shprehjes së Presidentit me dekret për të.

Dublimi i kësaj vakance me dy emërime, një nga KED dhe një nga Presidenti, sjell një tjetër ngërç institucional në kthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani e cilësoi qëndrimin e Presidentit Meta si një deklaratë me një gjuhë joetike dhe joinstitucionale, lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenca: Meta nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja

Pas lajmit se Arta Vorpsi është betuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në një zyrë noterie, ka reaguar zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.

“Të dashur gazetarë, lidhur me pyetjet tuaja për një lajm qesharak që qarkullon në media, dua t’ju sqaroj se Presidenti i Republikës nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja. Presidenti Meta është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe për të Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët”, shkruan në Facebook zëdhënësi i Kreut të Shtetit.